Të dhënat më të fundit të INSTAT nga “Anketa e Turizmit Udhëtime dhe Pushime” 2019 tregojnë se shqiptarët brenda vendit kryejnë udhëtime të shkurtra, kurse kur dalin jashtë kufijëve, udhëtojnë gjatë.
Udhëtimet e shkurtra (1-3 netë) në Shqipëri zënë një peshë më të madhe (68,8 %) gjatë 2019-ës se udhëtimet e gjata (4+ netë). Ndryshe paraqitet situata për udhëtimet e kryera jashtë Shqipërisë ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (71 %).

Udhëtimet për “Pushime dhe kohë të lirë” me kohëzgjatje të gjatë në Shqipëri dhe jashtë saj kanë një përqëndrim më të lartë përkatësisht 56,2 % dhe 52,8 %. Udhëtimet për “Vizita te të afërm dhe miq” kanë kohëzgjatje të shkurtër brenda vendit (82,7 %) dhe kohëzgjatje të gjatë jashtë vendit (84,2 %). Udhëtimet e kryera për qëllime biznesi kanë kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri (87 %) dhe të gjatë jashtë saj (80,8 %).
Ajo që vihet re tek anketa, udhëtimet sipas gjinisë së udhëtarit, në vitin 2019, është se përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda Shqipërisë janë kryer nga udhëtaret femra (51,4 %), ndërsa udhëtimet jashtë Shqipërisë janë kryer më shumë nga udhëtarët meshkuj (52,8 %).
Lidhur me kohëzgjatjen e udhëtimeve të analizuar sipas grup-moshave të udhëtarëve, në vitin 2019, vihet re që udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër (1-3 netë) kanë shënuar përqindjen më të lartë për grup-moshën 45-54 vjeç. Ndërsa udhëtimet me kohëzgjatje të gjatë (4+ netë) janë kryer nga grupmosha 65-74 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



