Shendet

Shqiptarët bëjnë pak aktivitet fizik dhe ushtrime aerobike

Shqiptarët nuk kryejnë mjaftueshëm aktivitet fizik dhe ushtrime aerobike. Kjo është ajo çfarë nënvizohet në një raport të Institutit të Shëndetit Publik, i cili u referohet dy studimeve: Vëzhgimit Kombëtar për sjelljen në lidhje me shëndetin te fëmijët në moshë shkollore (HBSC), një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vende të ndryshme, si dhe studimit nga Qendra e Shkencës dhe Industrisë (COSI).

HBSC dhe COSI janë dy studime, të cilat kanë vlerësuar mungesën e aktivitetit fizik tek fëmijët 11-15 vjeç (HBSC) dhe 8-9 vjeç (COSI), ndërkohë që në studimin më të fundit të ADHS- Anketa Demografike dhe Shëndetësore e Shqipërisë është vlerësuar niveli i aktivitetit fizik tek të rriturit.

Sipas raportit, është për t’u vërejtur se ulja e aktivitetit fizik shpesh përkon me rritjen e nivelit kombëtar bruto. Gjithashtu, jeta sedentare në punë dhe familje, si dhe rritja e modeleve “pasive” të transportit kontribuojnë në aktivitet fizik të pamjaftueshëm.

Vajzat, më pak aktive se djemtë

Sipas të dhënave, vajzat 11-13-15 vjeç janë më pak aktive krahasuar me djemtë e po të njëjtës moshë.

Në studimin më të fundit ADHS, për të vlerësuar nivelin e kryerjes së ushtrimeve aerobike gjatë javës, intervistuesit u pyetën nëse kishin kryer aktivitete të tilla, si: ecje, biçikletë, joga apo ushtrime të tjera që rrisnin punën e zemrës.

Mbi 80 përqind e të rriturve nuk kryejnë aktivitet fizik

Në total, 12 % e grave të moshës 15-49 raportojnë të kenë kryer ndonjë formë të ushtrimeve aerobike 5 deri 7 ditë të javës, vetëm 4% i kryejnë këto ushtrime 3 deri 4 herë në javë, 3% i kryejnë 1 deri 2 herë në javë dhe 82% e të intervistuarve nuk kryejnë fare ushtrime aerobike.

Sipas të dhënave, tek adoleshentët në vendin tonë, përqindja e moskryerjes së aktivitetit fizik është rreth 68 % dhe rritet me rritjen e moshës, duke shkuar deri në 84 % për të intervistuarit e grup-moshës 50-59 vjeç.

Në vitin 2010, OBSH publikoi një set rekomandimesh, duke u fokusuar në parandalimin primar të sëmundjeve jo-të transmetueshme përmes aktivitetit fizik.

Në këtë publikim propozoheshin strategji për t’u ndjekur, për të arritur nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik global, të tilla, si: skicimi dhe zbatimi i udhëzuesve kombëtarë për rritjen e aktivitetit fizik; përdorimi i mjeteve të komunikimit masiv për të rritur ndërgjegjësimin e përfitimeve që sjell aktiviteti fizik; survejimi dhe monitorimi i mekanizmave që promovojnë aktivitetin fizik.

Sipas të dhënave të raportit, kryerja e ushtrimeve aerobike, të cilat ndikojnë në rritjen e aktivitetit të zemrës duket se vjen në ulje me rritjen e moshës.

Aktiviteti i pamjaftueshëm fizik është një ndër faktorët risk kryesorë për sëmundjet jo-të transmetueshme të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, tumoret apo diabeti, si dhe shkaktari i katërt kryesor për vdekshmërinë në të gjithë botën (6% e vdekjeve në botë).

Në vitin 2010, vlerësohej që në botë, një në katër adultë dhe rreth 80 % e adoleshentëve nuk kryenin mjaftueshëm aktivitet fizik. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë