Financa Personale

Shqiptarët bëhen “smart”, nuk blejnë më celularët e shtrenjtë

Sabina Veizaj - Shqiptarët, ndër popujt më të varfër të Europës, e kanë kuptuar se tani një telefon i shtrenjtë smart nuk duhet të përfaqësojë statusin por nevojën. Disa vite më parë edhe një adoleshent që nuk kishte punuar kurrë edhe një ditë të vetme, mbante si reklamë për veten një telefon të shtrenjtë. Tani kjo "mburrje" është rrudhur aq sa edhe kuleta vetjake e gjithsecilit.

Elion Balla, menaxher shitjesh i Samsung për Shqipërinë dhe Kosovën thotë për gazetën "Si" se sjellja e konsumatorëve shqiptarë, e cila ishte më interesantja në rajon, po ndryshon në mënyrë të dukshme. “Nga natyra, ne duam gjithmonë më të mirën. Nëse marrim një shembull, duke iu referuar një adoleshenti, i cili nuk punon, nuk ka pse të marrë më të mirën nga produktet Samsung. Mund të zgjedhë një model telefoni më të lirë, J series për shembull, tek 150-200 euro. Por kanë maninë që të shtoj dhe pak, të shtoj dhe pak e shkojnë përherë tek telefonat më të fundit. Por kjo sjellje po ndryshon. Po shtohet baza e klientëve që po shkojnë tek produktet me buxhet të vogël dhe mesatar.”

Elion Balla gjatë prezantimit të Note9

Sipas tij, ka ardhur momenti që shqiptarët t'u përshtaten mundësive që vijnë nga të ardhurat e tyre, duke kuptuar që edhe një telefon që mund të mos jetë më i shtrenjti në treg, mund t'u plotësojë të gjitha nevojat që ata kanë.

Zoti Balla veçon edhe një sjellje tjetër të kosnumatorëve lidhur me shpeshtësinë e ndërrimit të konsumatorëve. “Analizat që bëhen në rang botëror, por e njëjta sjellje identifikohet edhe tek konsumatorët shqiptarë të telefonisë së lëvizshme inteligjente. Para dy viteve cikli i ndërrimit të telefonave ishte më i shpejtë; 1 herë në 12, 13 muaj. Duke qenë se telefonat po zhvillohen dhe risitë janë të shumta, ka bërë që cikli i telefonit të rritet. Tani ndryshimi i një telefoni ka shkuar në 18-19 muaj”, thotë menaxheri Balla. Ai sqaron se “nga ana e biznesit kjo shikohet si humbje sepse ata përdorues janë, por është një cikël që do t'i vinte koha. Qëllimi është cilësia e telefonave.”

Duke folur për Samsung në Shqipëri, Balla thotë se zotëron  55 % të tregut në Shqipëri dhe diku tek 50% në Kosovë. Sipas tij 1 në 2 blerje telefonash është e markës Samsung.

Sipas tij, ajo që e diferencon Samsungun me markat e tjera të njohura është diversifikimi i produkteve sipas buxheteve dhe modelet Note, të cilat aktualisht nuk kanë asnjë konkurrent në treg.

“Nëqoftëse flasim për konkurrencën, Apple në këtë rast ne e konkurojmë denjësisht. Nëse Apple prodhon vetëm modele flagship, që do të thotë telefona të shtrenjtë, ne prodhojmë një gamë të gjerë që nga më i liri deri tek më i shtrenjti; që nga A series, J series deri tek note. Nëse ke 150-250 euro, 300-500 euro deri në mbi 800 euro Samsung të ofron një telefon për çdo buxhet që disponon. Ka një produkt që e konkuron tregun. Ne synojmë çdo kategori, nuk kemi hapësirë boshe; që nga adoleshnti, i riu, mosha e mesme, profesionisti dhe i apasionuari pas telefonave”, shpjegon Balla.

Duke iu përshtatur edhe tregut global, sqaron ai, strategjia e Samsung jo vetëm për telefonët, por edhe për produktet e tjera të elektronikës, orientohet drejt vlerës së biznesit, jo drejt çmimeve dhe Samsung do t'u japë vlerë të gjithëve. “Mbase për ne si kompani është më e vështirë me një gamë të gjerë të tillë produktesh, për partnerët tanë dhe për klientët ky është avantazh”, thotë ai.

Për Samsung, investimi në Shqipëri synon pjesën e marketingut dhe ndihmën në marrjen e çmimit më të mirë në rajon.

Në lidhje me jetëgjatësinë, Balla thotë se propabiliteti që një telefon Samsung të ketë nevojë për servis brenda periudhës 24-mujore të garancisë kur blihet tek partnerët si Vodafone, Telecom, Albatrade, Neptun, është 2-3 %. Dhe për Ballën, jo gjithmonë servisi nevojitet për shkak të defektit të fabrikës, por në shumë raste mbizotëron pakujdesia e klientëve.

Përdoruesit e telefonave celularë në Shqipëri

Në Shqipëri përdoruesit aktivë të telefonisë celulare kanë qenë rreth 3.5 milionë në vitin 2017.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar (AKEP), këta përdorues kanë në total 5,55 milionë karta SIM, ndryshe të gjithë përdoruesit kanë nga 2 karta SIM.

Krahasuar me vitin 2016, numri i kartave SIM në treg u rrit me 3,8 për qind.

Nga katër kompanitë e telefonisë celulare në vitin 2017, Vodafone Albania renditet në vend të parë me 1,72 milionë përdorues aktiv, Telekom Albania në vend të dytë me 1,23 milionë përdorues, Albtelecom dhe Eagle me rreth 459 mijë përdorues dhe Plus Communication me rreth 206 mijë përdorues.

Shitje e telefonave inteligjentë në botë

Sipas Statista.com, tregu global i telefonave inteligjentë ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme që nga viti 2009, kur 173 milionë telefona të tillë janë shitur në mbarë botën. Në vitin 2015, kjo shifër kaloi 1.4 miliardë. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje mund t'i atribuohet lëshimit të iPhone në vitin 2007. Me dizajnin e tij miqësor ndaj konsumatorit, Apple prezantoi funksione multimediale për telefonat inteligjentë, duke ofruar më shumë se veçoritë themelore si shfletimi i emailit dhe i uebit. Apple nxiti konkurrentët të reagonin me modelet e reja dhe filluan të formonin zakonet e konsumatorëve. Ky ndryshim mund të vërehet në shifrat e shitjes së smartfonëve. Nokia dhe Blackberry / RIM - liderë të mëparshëm në shitjet e smartfonëve - panë shifrat e tyre ranë ngadalë gjatë viteve, ndërsa Samsung dhe Apple rritën pjesën e tyre të tregut. Në vitin 2015, Samsung zotëronte gati 23 për qind të tregut global dhe Apple përbënte 16 për qind.

Tregu global i telefonëve inteligjentë nuk tregon shenja të ngadalësimit. Mbi 1.8 miliardë të tillë parashikohet të shiten në total në 2018, me që tregjet në zhvillim marrin drejtimin e këtij tregu. Kina dhe India pritet të japin gati 37 për qind të të gjitha shitjeve të telefonëve inteligjentë në mbarë botën deri në vitin 2019. Amerika Veriore dhe Europa tregojnë një ndryshim të vogël në aspektin e shitjeve të këtyre telefonëve gjatë viteve, pasi këto dy tregje të zhvilluara deri në vitin 2019 parashikohet të mbajnë respektivisht 10 për qind dhe 14 për qind të aksioneve.

Android i Google është sistemi operativ më popullor i telefonëve inteligjentë në botë. Në 2014, pak më shumë se 80 për qind e të gjithë sistemit smartphone të përdorur kishin sistemin operativ Android. Kjo pjesë parashikohet të rritet në 85 përqind në vitin 2020. IOS i Apple është sistemi operativ i dytë më popullor, me rreth 15 përqind të tregut në 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë