Shendet

Shqipëria zyrtarisht në sezonin e gripit, në qarkullim virusi Australian A/H3, A/H1 dhe Covid-19

Nga Gazeta Si- Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në sezonin e gripit ku në qarkullim janë tipi Australian A/H3 dhe A/H1. Sipas të dhënave të javës së fundit të muajit dhjetor, janë evidentuar 10 raste me grip, nga të cilat 6 janë të tipit A/H3, i njohur ndryshe si gripi Australian.

Raporti i survejancës epidemiologjike bën të ditur se gjatë javës së 49-të të muajit dhjetor, në urgjencat spitalore janë paraqitur për ndihmë të specializuar mjekësore 10 raste me grip, ku pjesa më e madhe rezultuan të tipit A/H3, si dhe 21 raste me Covid-19.

Mjekët infeksionistë theksojnë se simptomat e gripit A/H3 (Influenza A – H3N2) janë të ngjashme me ato të gripit sezonal, por shpesh shfaqen në forma më të rënda, veçanërisht te të moshuarit dhe fëmijët.

Pacientët e prekur kanë raportuar temperaturë të lartë deri në 38–40 gradë Celsius, ethe, djersitje, dhimbje të forta koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, lodhje të theksuar, dobësi, kollë të thatë, dhimbje fyti, rrufë ose hundë të bllokuar, humbje oreksi, si dhe nauze, të vjella apo diarre, më shpesh te fëmijët.

Te grupet e rrezikut, përfshirë të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, gripi A/H3 mund të shoqërohet më shpesh me komplikacione, si bronkiti, pneumonia dhe përkeqësimi i sëmundjeve ekzistuese, veçanërisht ato të zemrës, mushkërive dhe diabetit.

Sipas raportit të survejancës epidemiologjike për periudhën tetor–dhjetor 2025, rritje e ndjeshme është vërejtur edhe te infeksionet virale akute respiratore. Gjatë kësaj periudhe janë prekur 676 pacientë, nga të cilët 468, ose 69.2 për qind, janë diagnostikuar me sindromën e rëndë të respiratorit akut (SRRA), një gjendje që shkakton simptoma të rënda dhe kërkon trajtim të specializuar spitalor.

SRRA përfaqëson një gjendje serioze të mushkërive, ku ato inflamohen rëndë, mbushen me lëng dhe oksigjeni nuk kalon siç duhet në gjak, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në frymëmarrje.

Nga sistemi i alarmit të ISHP-së rezulton se gjatë muajve tetor–dhjetor janë konstatuar gjithashtu 208 pacientë, ose 30.8 për qind, të cilët janë identifikuar si raste të ngjashme me gripin, të njohura ndryshe si infeksione virale ILI. Ky term mjekësor përdoret për rastet kur pacientët shfaqin simptoma tipike të gripit, por pa një konfirmim laboratorik.

Këta pacientë kanë shfaqur temperaturë deri në 38 gradë Celsius, kollë dhe/ose dhimbje fyti, rrufë ose hundë të bllokuar, dhimbje koke dhe muskujsh, si dhe lodhje. Në këto raste, simptomat janë zakonisht më të lehta se ato të infeksioneve virale akute, por më të theksuara se një ftohje e thjeshtë, ndërsa trajtimi mund të kryhet edhe në kushte shtëpie.

Gjatë javës së 49-të të muajit dhjetor, raporti evidenton gjithashtu një prani të rasteve me koronavirus, me 21 raste, ose 3.1 për qind, në raport me gripin Australian.

Mjekët rekomandojnë vizitë te specialisti në çdo rast kur simptomat janë të rënda dhe nuk menaxhohen në shtëpi. Po ashtu, këshillohet ndjekja e një regjimi të shëndetshëm ushqimor dhe mbajtja e kontaktit të vazhdueshëm me mjekun e familjes për marrjen e këshillave të duhura mjekësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë