Asambleja e Kombeve të Bashkuara votoi rezolutën ku i kërkonte SHBA-së që të heqin sanksionet kundër Kubës.
Pro kësaj rezolute votuan 189 shtete anëtare, ndërsa dy shtetet SHBA dhe Izraeli votuan kundër. Shqipëria votoi pro dokumentit të paraqitur për heqjen e sanksioneve ndaj shtetit Kuban. Asnjë vend nuk abstenoi ndërsa përfaqësuesit e Moldavisë e Ukrainës megjithëse të pranishëm, nuk votuan.
Kjo është hera e tretë që shteti ynë mban një qëndrim që shkon në kundërshtim me politikën e jashtme amerikane, aleatit strategjik të tij. Tirana zyrtare në këto votime ka mbajtur më tepër linjën e shteteve të BE-së.
"Embargoja është një shkelje flagrante masive dhe sistematike e të drejtave të njeriut në Kubë", tha ministri i Jashtëm i Kubës Bruno Rodriguez Parrilla në Asamblenë e Përgjithshme. "Ka qenë dhe mbetet pengesa kryesore për mirëqenien dhe prosperitetin e disa brezave", tha ai.
“Sot nuk ka fitues, ka vetëm humbës. Kombet e Bashkuara kanë humbur. Refuzuan mundësinë për të folur në emër të të drejtave të njeriut. Karta e Kombeve të Bashkuara angazhon çdo vend këtu në promovimin e paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut dhe ajo u tradhtua sot", tha ambasadorja Haley.
Gjatë 27 viteve të fundit, sipas VOA, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është mbajtur një votim i përvitshëm duke dënuar bllokadën ekonomike, tregtare dhe financiare e imponuar në vitin 1962 gjatë Luftës së Ftohtë.
Votimi është kryesisht simbolik, pasi Asambleja e Përgjithshme nuk ka fuqinë për t'i dhënë fund embargos, fuqi të cilën e ka vetëm Kongresi amerikan. Por votimi thekson izolimin e Uashingtonit lidhur me këtë çështje. Ambasadorja Haley tha se Shteteve e Bashkuara nuk u intereson fakti nëse janë të izoluara lidhur me këtë çështje.
“Për ne nuk përbën asnjë problem fakti që qëndrojmë të vetëm pas çështjeve tek të cilat besojmë dhe do ta bëjmë me krenari përsëri sot, nëse do të jetë e nevojshme”, tha Haley përpara votimit.
Më shumë se 36 vende dhe përfaqësues të grupeve rajonale morën fjalën gjatë punimeve të Asamblesë, në një debat që filloi të mërkurën dhe përfundoi të enjten me një votim. Shumë argumentuan se embargoja bie në kundërshtim me kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e organizatës.
Reagimi i opozitës shqiptare
Votimi i 1 nëntorit solli reagimin e ish-ministrit të Jashtëm, deputetit të PD-së, Tritan Shehu, duke e cilësuar se këto qëndrime të mbajtura nga Tirana zyrtare do të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy shteteve. Por mbi të gjitha sipas demokratit, kjo linjë diplomatike e kundërvënies nuk është e duhura.
“Po për Kubën, pse duhet të votonim kundër SHBA-së?! Përsëri votë kundër SHBA-së në Asamblenë e OKB nga përfaqësuesi shqiptar, duke votuar "pro" Rezolutës së paraqitur nga Kuba për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj saj. Ndërkaq paradoksalisht përfaqësuesi ynë "abstenon" për amendamentet e paraqitura nga SHBA për këtë Rezolute!! Në këto vitet e fundit ka një ndryshim të qëndrimit amerikan ndaj marrëdhënieve me Kubën, ndaj të cilit ne nuk ka pse të kundërvihemi, pavarësisht se si veprojnë vende të tjera. Në një diplomaci të mençur e jo te "detyruar" ka edhe mënyra të tjera votimi, ose mos votimi, për të shmangur ballafaqimin me aleatin tonë kryesor strategjik si shqiptar”, deklaron Shehu.
Më tej Shehu thekson se kjo do të krijojë një krisje të marrëdhënieve me SHBA-në, çka mund të dëmtojë në të ardhmen.
“Në fakt kjo tendencë kundërvënie ndaj SHBA ne OKB ( jo vetëm aty), për çështje sigurie shumë larg interesave e influencave tona, për të cilat ne duhet të ndjekim atë vend , në mënyrën më paradoksale e të gabuar është bërë një rutinë në qëndrimet tona në ato organizma. Gjykoj se kështu ne dëmtojmë interesat tona kombëtare dhe gradualisht krijojmë "të çara" në marrëdhëniet me atë vend thelbësor për ne e paqen në botë, gjë që minimalisht rrezikon të zbehë përkrahjen e çmuar amerikane ndaj çështjeve tona madhore”, shprehet Shehu.
Kjo është hera e tretë që Shqipëria në Asamblenë Kombëtare të OKB-së voton në një linjë që mbajnë shtetet e BE-së, duke mos votuar pro propozimeve apo qëndrimeve të SHBA-ja.
Votimi më i fortë në OKB ishte kundër rezolutës së SHBA-së, e cila kërkonte në dhjetor të vitit të kaluar që Jeruzalemi të ishte kryeqyteti i Izraelit.
Ndërsa votimi i dytë kundër ishte pikërisht në tetor përfaqësuesi i ynë votoi përsëri kundër SHBA, duke miratuar Projekt Rezolutën e paraqitur nga Egjipti për të njohur në OKB, Palestinën si drejtuese të Grupit 77.
Kandidatura e saj fitoi me 146 vota pro, 15 abstenime dhe vetëm tre kundër. Mes vendeve që votuan pro ishte edhe Shqipëria, që u rreshtua në krah të vendeve të BE-së, ndërsa kundër ishin veç Izraelit vetëm SHBA dhe Australia.
Menjëherë pas votimit, përfaqësuesit e Uashingtonit e cilësuan një vendim të gabuar zgjedhjen e Palestinës në bllokun më të madh të vendeve në zhvillim brenda OKB-së. Por, gjuha e përdorur nga Nikki Haley këtë herë ishte më e zbutur se ajo pas votimit të rezolutës që dënonte vendimin e SHBA për të njohur Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit. Në atë kohë, SHBA paralajmëronte vendet që iu kundërvunë me “pasoja të drejtpërdrejta”.
“Palestinezët nuk janë vend anëtarë të OKB-së. As një shtet nuk është. Gabimi i OKB-së sot minon shpresat për paqe dhe ushqen iluzionin e disa udhëheqësve palestinezë se mund të përparojnë në agjendën e tyre pa bisedime direkt me Izraelin”, deklaroi ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley.
Kryesimi i G77 i jep mundësi Autoritetit Palestinez që gjatë vitit 2019, për sa kohë do të ketë kryesimin e këtij grupi, të gëzojë të drejtat e plota si një vend anëtar i OKB-së.
Por vota e dhënë e Shqipërisë në OKB u komentua edhe nga kryediplomati Ditmir Bushati, veçanërisht sa i përket rezolutës së SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet. Ai deklaroi se vota pro rezolutës, nuk është votë kundër SHBA.
“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”, do të theksonte Bushati në një deklaratë të dhënë më 22 dhjetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.