Gazeta Si – Kombëtarja U-21 e Shqipërisë mundi sot 2-0 Malin e Zi në ndeshjen e 4-t kualifikueseve të Europianit. Pas humbjes së thellë në Finlandë, skuadra e drejtuar nga trajneri Bushi u rikthye te suksesi, duke marrë fitoren e 3-të në këto eliminatore. Medon Berisha me penallti dhe Shpendi shënuan golat e fitores kuqezi.
Kuqezinjtë e vegjël e nisën ndeshjen e luajtur në stadiumin e Rrogozhinës me këtë formacion: Lilo, Smajli, Bajrami, Dajko, Berisha, Rexhepi, Shabani, Shpendi, Buxhelaj, Qefalija dhe Nikaj.
Në minutën e 27-ë sulmuesi Stiven Shpendi fitoi një 11-metërsh, që kapiteni Medon Berisha e ktheu në gol. Më pas Mali i Zi mbeti me 10 lojtarë, sepse Bajoviç mori kartonin e dytë të verdhë.
Kuqezinjtë dominuan në pjesën e dytë, patën raste shënimi dhe goditën edhe shtyllën me Shpendin. Vetëm 3 minuta më pas, në të 73-ën, sulmuesi do të vuloste rezultatin në 2-0. Shpresat marrin kështu një fitore të rëndësishme, që e mban në vend të parë të Grupit E, me 9 pikë, por me 4 ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.