Kombetarja

Shqipëria U-21/ Bushi shpall listën, fokusi te lojtarët e kampionatit vendës

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për “zborin” 8-ditor që nis pas dy ditësh, ku do të luhen edhe dy ndeshje miqësore. Në konferencën për shtyp ai ka theksuar se fokusi do të jetë te lojtarët e kampionatit shqiptar, ata nga Superiorja dhe Kategoria e Parë.

Në listën e Bushit figurojnë 3 emra të rinj dhe konkretisht ata janë Hajdin Saliu i Lokomotivës së Zagrebit, Lundrim Hetemi që vjen nga danezët e Vejles dhe lojtari i Kukësit, Altin Bytyçi. Bushi ka konfirmuar ndërkohë grumbullimin e Mario Mitajt në Kombëtare.

Lista e Kombëtares U-21. Gazeta Si, 20 mars 2021

“Për mua është nder dhe krenari të jem trajner i Kombëtares Shpresa. Nga U-21-shi dhe më poshtë është një cikël dhe lojtarët nuk qëndrojnë gjithmonë aty. Kemi shumë lojtarë të rinj në ekip, pasi shumë na kanë ikur. Kemi 3 lojtarë nga Kosova, Bytyçin, Lunrdim Hetemin dhe Halit Saliun, dua t’i falënderoj që kanë zgjedhur Shqipërinë. Pandemia na ka kushtëzuar së tepërmi, e kemi pasur të pamundur të marrim lojtarë. Nga Anglia nuk kemi marrë asnjë lojtar për shkak të rregullave.

Lojtarët e kampionatit shqiptarë janë të gatshëm për kombëtaret, kurse ata që janë jashtë e kanë mendjen më shumë te Kombëtarja A. Nuk dua lojtarë në ekip që e kanë mendjen të Kombëtarja e madhe. Ndihem mirë që Reja ka marrë lojtarë nga U-21-shi. Kam thënë se në të ardhmen Shqipëria do ketë një ekip shumë të fortë dhe jo vetëm do kualifikohet në Europian, por do kalojnë ture dhe mund të shkojnë në Botëror. Ka lojtarë që luajnë në kampionate të mëdha, që kërkohen nga klubet më të mëdha.

Broja me Çelsin, Bare në Spanjë, pse të mos fitojmë? Do kemi një kombëtare shumë të fortë. Kualifikimi është i vështirë, por mund të mposhtim çdo kundërshtar, hiq Anglinë dhe Francën. Ato janë të papërballueshme, me të tjerat mund të ndodhë gjithçka.

Kombëtarja A? Kur trajneri e ka të nevojshme, mund të shikojë te U-21-shi. Mendoj se duhet të hedhë sytë edhe nga Superiorja, pasi Partizani, Laçi dhe skuadrat e tjera kanë lojtarë të mirë. Mitaj? Reja mendon për të ardhmen, Mitaj tani është 17 vjeç dhe në 2024-ën do jetë 20 vjeç, lojtar më i pjekur. E meritonte plotësisht Kombëtaren”, - tha mes të tjerash trajneri Bushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë