Politike

Shqipëria s’mbështet deklaratën e Borrell: Përgjegjësia e asaj që ndodhi s’qëndron te Kosova, faji peshon nga Serbia

Shqipëria për herë të parë nuk ka pranuar të linjëzojë me Bashkimin Europian, qëndrimin për situatën e krijuar në Kosovë dhe procesin e dialogut me Serbinë. Burime pranë Qeverisë thanë se ka qenë pikërisht deklarata e shefit të politikës së jashtme të Unionit, Joseph Borrell, që i trajtonte të dyja palët njësoj, çfarë ka sjellë edhe mospajtimin e Tiranës zyrtare, e shprehur kjo në rrugë diplomatike.

Kritikat e Brukselit si ndaj Kosovës, ashtu edhe ndaj Serbisë, janë arsyeja kryesore që kanë detyruar Shqipërinë të mos mbështesë qëndrimin e Bashkimit Europian, në kushtet kur Tirana vëren se me zhvillimet e fundit faji peshon në krahun e Beogradit.

Veçanërisht, thirrja e Borrell që si pjesë e deeskalimit duhet të ishte mospërdorimi i forcave speciale në veriun e Kosovës, dhe ndërkohë vetëm pak ditë më vonë aty u vra një efektiv i Policisë nga agresorët serbë në manastirin e Banjskës, e bëjnë deklaratën e Brukselit të mos reflektojë realitetin e ngjarjeve të fundit.

Tirana e ka bërë të qartë këtë dhe pret nga Bashkimi Europian që të ketë një qëndrim të ri mbi situatën, me qëllim që edhe Shqipëria t’i rikthehet përsëri linjëzimit me Unionin, sa i përket Kosovës dhe procesit të dialogut me Serbinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë