Nga Gazeta “SI”– Për herë të parë, Shqipëria zhvilloi një aktivitet zyrtar në ambientet e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), duke e kthyer këtë moment në një ngjarje historike për përfaqësimin ndërkombëtar të trashëgimisë sonë kulturore dhe produkteve me tregues gjeografikë.
Ngjarja u organizua si një “Side Event” në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të WIPO-s, që këtë vit mblodhi në selinë e saj në Gjenevë mbi 600 delegatë nga mbarë bota.

Në këtë aktivitet u prezantuan vlera unike të kulturës shqiptare: produkte të certifikuara me tregues gjeografik, kostume popullore nga të gjitha trevat, si dhe punime të filigranit të njohur për mjeshtërinë e tij të hollë. Një program artistik shoqëroi eventin me valle tradicionale dhe muzikë folklorike, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe përfaqësuese të shpirtit shqiptar.

Gjithashtu, pjesë e programit ishte edhe një prezantim mbi rëndësinë e treguesve gjeografikë dhe shprehjeve kulturore tradicionale, si mjete për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej identitetin kulturor të vendeve me histori të pasur si Shqipëria.

WIPO, një nga agjencitë kryesore të Kombeve të Bashkuara, synon krijimin e një ekosistemi të balancuar global për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, duke nxitur inovacionin, kreativitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në 193 shtetet anëtare të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



