Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria do të presë vitin e ardhshëm samitin e radhës të Komunitetit Politik Europian. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Budapest për të marrë pjesë në punimet e këtij samiti.
“Po marrim stafetën për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri, gjysmën e parë të vitit që vjen. Ka shumë gjëra për t’u diskutuar. Ndryshimi i klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve europiane. Jemi krenarë ta mikpresim këtë takim”, tha Rama.
Pasi u prit nga homologu Viktor Orban, Rama komentoi zgjedhjen e Donald Trump si President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për herë të dytë.
Rama tha se për shqiptarët “SHBA-ja është SHBA” dhe se nuk bën dallim se kush e drejton Shtëpinë e Bardhë.
“Për Shqipërinë nuk do të thotë asgjë zgjedhja e Trump, në sensin që nuk ndryshon asgjë. Kushdo që është në Shtëpinë e Bardhë nuk bën dallim, meqë SHBA-ja është SHBA. Ne s’jemi të ndikuar nga emocionet, për shkak se për ne është e njëjtë.
Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta jo në mënyrën e duhur për kthimin e tij të mundshëm. Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO u bë më e fortë. Kështu që le të shohim dhe të mos bëhemi histerikë para se të shohim realitetin. SHBA janë SHBA dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërish e keqe për Evropën, mund të jetë me e mirë për Evropën.
Jam më i gjati mes tyre por përfaqësoj vendin më të vogël. Shqiptarët janë komuniteti më pro amerikan në botë s’përbën ndryshim kush është në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi Rama.
Liderët e Francës, Britanisë, Turqisë, Ukrainës e të Ballkanit do diskutojnë për sigurinë europiane dhe rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
BE-ja do të përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme, Josep Borrell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.