Jemi mësuar të na bëjë krenar futbolli, por historia dhe lavdia në sport arrihet edhe me volejboll. Pas suksesit historik të pak muajve më parë ku kombëtarja jonë në voljeboll pë femra mori medaljen e bronzit në Europa League, vjen një tjetër sukses. Shqipëria për herë të parë do të presë finalet e një kampionati europian për moshën Under 19 për femra. Duke filluar që nga data 1 shtator deri më 9, vendi ynë do të jetë epiqendra e volejbollit europian. Në këtë kompeticion do të marrin pjesë 12 vende që mundën të kualifikohen në fazën eliminatore.
Në prag të startit të këtij eventi, zëvendës-Presidenti i CEV Ozkan Mutlugil dhe drejtuesit më të lartë të volejbollit shqiptar kanë dalë në konferencën e zakonshme për shtyp për të treguar detajet më të fundit të aktivitetit dhe shpalosur objektivat.
Mutlugil ka vlerësuar punën e bërë nga ana e Federatës Shqiptare të Volejbollit, dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për organizimin në të dyja qytetet. “Dua të falënderoj Shqipërinë për këtë organizim, Shqipëria është shumë e rëndësishme për ne sepse ka një histori suksesi në volejbollin Europian, pasi një pauzë, por me ardhjen e Pëllumbit në krye të FSHV, shumë gjëra kanë ndryshuar”, u shpreh Mutlugil.
Nga ana tjetër, Presidenti i FSHV-së, Pëllumbi theksoi se vështirësitë tashmë janë tejkaluar dhe pritet vetëm spektakli në parket.
“Vështirësitë janë të mëdha, por ne ia kemi dalë. Nota do të jepet në fund të këtij aktiviteti, por mendoj se do jetë midis 9-10”, tha Pëllumbi.
Në këtë kampionat europian në volejboll për femra U-19, marrin pjesë 12 ekipe, të ndara në 2 grupe. Ndeshjet e grupit A do të zhvillohen në mjediset e Akademisë Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, ndërsa në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet do të luhen takimet e grupit B.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.