Politike

‘Shqipëria po heton edhe politikanë të lartë’, Rama në konferencën e çeljes së negociatave: Nuk kemi rrugë tjetër veçse në BE!

Nga Gazeta ‘Si’-  Kryeministri Edi Rama u shpreh se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq shumë sa rajoni ynë ka nevojë për BE.

Në konferencën për shtyp me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó dhe Komisionerin e  Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Rama thumboi Unionin, duke u shprehur se u desh agresioni i presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, që Europa të kuptojë që iluzioni i vetëmjaftueshmërisë është vetëm iluzion.

“Është me të drejtë një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk na duhet një kujtesë e rëndësisë për të punuar së bashku, është e vërtetë në këto kohëra sfiduese ku një mori krizash na janë qasur me nevojën për t’u bërë më pranë dhe qëndruar të gjithë së bashku dhe nevojën e mirëfilltë për t’u përballur me veten.

 Për fat të keq dhe këtë nuk e shmang dot pa e thënë, kjo ishte me ndihmën e Putin që ky proces mori një shpejtësi të re pas agresionit të tij në Ukrainë, shërbeu si një zile zgjimi”, deklaroi Rama.

Ai deklaroi se Shqipëria nuk ka plan B, përveçse anëtarësimit në BE.

“Nuk është një retorikë pro evropiane, është çështje jete e a vdekje për ëndrrën tonë për t’u lënë brezave një vend ku liria është e padiskutueshme dhe ku demokracia funksionon për gjithkënd. Shqipëria ka përmbushur në mënyrë të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë anëtarësimi dhe mbetet e palëkundur për përmbushjen e kushteve. Arritjet në reformën e drejtësisë, një sistem më llogaridhënës. Në historinë tonë po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen para një gjykate të pavarur pavarësisht partisë.

Do ta bëjmë këtë në çdo nivel për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të merituar vendin tonë në BE. Ky progres vetëm sa do të thellohet, do e bëjmë këtë duke ruajtur e mbrojtur të drejtat e njeriut. Ne kemi zbatuar një kuadër mjaft progresiv bazuar në standardet e Evropës. Vullneti ynë do të përplotësohet me aktet nënligjore. Do të ndërtojmë punën e shkëlqyer me një ekip të madh negociatorësh dhe do ta forcojmë këtë administratë në shërbim të së ardhmes.

Ky është momenti për të falënderuar Orban që na ka treguar qysh në ditën e parë, vullnetin për të ndihmuar, për përcjelljen e dijeve që Hungaria ka përfituar gjatë procesit të vet në anëtarësim në BE. Më shumë se kurrë, BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE. Një gjë është e njëjtë kudo, dëshira për të qenë pjesë e këtij bashkimi. Për Shqipërinë nuk tjetër të ardhme e rrugë tjetër pos të ardhmes sonë në BE dhe rrugës së BE. Faleminderit”-u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë