Ekspozite

Shqipëria pjesë e ekspozitës në Çikago, arkeologia Muka: Një mundësi për të promovuar trashëgiminë

Nga Gazeta Si - Objektet nga fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe koleksionit të Muzeut Arkeologjik në Tiranë do të jenë pjesë e ekspozitës në Amerikën e Veriut, të titulluar “First Kings of Europe” (Mbretërit e parë të Evropës) në një prej muzeve më të mëdhenj dhe prestigjioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Field Museum of Natural History, në Chicago.

Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Belisa Muka, thotë për Gazetën “Si” se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar trashëgiminë tonë kulturore në një nga muzetë më të rëndësishëm.

“Ekspozita ndërkombëtare ‘First Kings of Europe’ është e para e përmasave të tilla, e cila bën bashkë rreth një tematike unitare institucione të ndryshme nga 11 vende të Evropës Juglindore, vendi ynë është një prej tyre. Një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar trashëgiminë tonë kulturore në një prej muzeve më të rëndësishëm në ShBA. Grupi i punës nga Instituti i Arkeologjisë përbëhet nga studiuesit Rovena Kurti, Rudenc Ruka, Luan Përzhita”, shprehet Muka për Gazetën “Si”.

Drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Belisa Muka

Ekspozita në të cilën marrin pjesë 25 institucione nga 11 vende të Evropës Juglindore do të hapet më 31 mars.

Arkeologia Belisa Muka tregon edhe detaje nga hapja e ekspozitës më 31 mars. Ajo bën me dije se Shqipëria përfaqësohet me 17 objekte, që vijnë nga gërmimet në varreza tumulare, nga veriu në jug të vendit.

“Shqipëria përfaqësohet me 17 objekte, që vijnë nga gërmimet në varreza tumulare, nga veriu në jug dhe që i përkasin një harku kronologjik 4500-2400 p.e.s. Objektet vijnë nga tumat e Shtojit, Matit, Çinamakut dhe Rehovës”, vijon më tej Muka për Gazetën “Si”.

Ekspozita në tërësi ka si temë kryesore periudhën e formimit të elitave sociale dhe politike gjatë prehistorisë së vonë në Ballkan, nga komunitetet bujqësore të periudhës së Neolitit, tek elitat e konsoliduara të fundit të periudhës së Hekurit.

Ekspozita "First Kings of Europe"

Të gjitha objektet që do të ekspozohen sipas Mukës kanë një rëndësi të vecantë, pasi përpos që shërbejnë si një pasqyrë e kulturës tonë në epokat e hershme, nxjerrin në pah edhe marrëdhëniet e vendit tonë me botën mesdhetare.

“Në këtë ekspozitë përfaqësohemi me disa kategori objektesh që rrëfejnë histori, të cilat lidhen me aspekte të ndryshme të riteve religjioze dhe mortore dhe që hedhin dritë formimin e elitave të e para të cilat janë ushtarake dhe politike njëherazi. Paralelisht këto objekte pasqyrojnë raportet e rëndësishme tregtare dhe shkëmbimet ekonomike që territoret tona kanë pasur me botën mesdhetare”, shprehet ndër të tjera Muka për Gazetën “Si”.

“Një nga gjërat më unike dhe më të veçanta në lidhje me këtë ekspozitë është bashkëpunimi ndërkombëtar që ndodh për të krijuar First Kings of Europe”, ka thënë Bill Parkinson, kurator në “The Field Museum”.

“Ekspozita është bërë në partneritet me 11 vende, plus Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, dhe 26 muze të ndryshëm. Shumë prej artikujve kulturore nuk janë ekspozuar kurrë jashtë vendeve të origjinës së tyre dhe disa nuk janë ekspozuar kurrë as aty”, ka shtuar ai.

Më shumë se 700 objekte kulturore në ekspozitë datojnë nga epoka neolitike, e bakrit, e bronzit dhe e hekurit.

Hapja e ekspozitës fillon në 31 mars 2023, në Field Museum of Natural History Chicago, ku do të qëndrojë deri në 28 janar 2024.

Në periudhën 5 Prill 2024-19 janar 2025, ekspozita zhvendoset në National Museum of History, në Gatineau, Kanada.

Puna për pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë projekt u drejtua nga Dr. Rovena Kurti, në bashkëpunim me Dr. Rudenc Ruka dhe Prof. Luan Përzhita, Instituti i Arkeologjisë/Akademia e Studimeve Albanologjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë