Klientët e një ndër bankave me të mëdha në Shqipëri, u shokuan kur pak para Krishtlindjeve u erdhi një mesazh në celular: “Llogaria juaj është bllokuar. Balanca juaj është zero. Faleminderit.”
Mesazhi, që rezultoi të jetë i pavërtetë, sinjalizoi hapjen e një fronti që autoritetet shqiptare, SHBA-ja dhe NATO e kanë identifikuar si një sulm kibernetik gjigand të orkestruar nga Irani drejt anëtarit më të dobët të Aleancës.
“Është një sulm – një agresion kundër sovranitetit të një vendi nga një shtet tjetër”, tha atëherë Kryeministri Edi Rama në një intervistë, duke i quajtur agresionit si “të njëjta me një agresion ushtarak”.
Sulmi ka përfshirë Shqipërinë, një komb ballkanik me më pak se tre milionë banorë, në një vorbull pasigurie dhe e ka zhytur atë në beteja të mëdha gjeopolitike që përfshijnë Iranin, Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara. Arsyeja e sulmeve, të cilat filluan me një depërtim të fshehtë të serverëve të qeverisë në vitin 2021, por që filluan të shkaktojnë përçarje të dukshme vetëm vitin e kaluar, duket të jetë strehimi i Shqipërisë i Muxhahedinëve Khalq, i njohur si M.E.K., një grup i fshehtë disident iranian, në tokën e saj.
Një rol kanë luajtur dhe politikat e politizuara të Uashingtonit, ku “skifterët” republikanë në SHBA kanë qenë mbështetës të fortë të M.E.K.
Paguar nga qeveria shqiptare për investigim, Microsoft raportoi me besim të lartë se sulmuesit ishin sponsorizuar nga qeveria iraniane me M.E.K targetin kryesor. Fushata kundër Shqipërisë ishte pjesë e “hakmarrjes për sulmet kibernetike që Irani percepton se janë kryer nga Izraeli” dhe Muxhahedeen Khalq, thekson raporti.
Një logo e stampuar në dokumentet konfidenciale shqiptare të publikuara nga sulmuesit paraqet një shqiponjë që me simbolin e një grupi hakerash të njohur si Predatory Sparrow – të cilin Irani e fajëson për sulmet në rrjetet e veta kompjuterike – brenda një Ylli të Davidit.
Predatory Sparrow ka marrë përgjegjësi për një numër të lartë sulmesh të sofistikuara kundër targeteve iraniane, përfshirë median shtetërore atje.
Shqipëria, e dominuar nga popullsia me besim mysliman, prishi lidhjet me Republikën Islamike të Iranit në shtator 2022, duke përjashtuar diplomatët e saj për atë që, siç thonë ekspertët, është sulmi më i madh kibernetik në një vend të NATO-s që nga 2007-a, kur Rusia sulmoi rrjetet kompjuterike të Estonisë.
Sulmi në Shqipëri, jo vetëm që ndërpreu punën e qeverisë dhe u përpoq të minonte besimin tek institucionet financiare – një kërcënim i madh në një vend që u fut në luftë civile në 1997 pas kolapsit të disa fondeve mashtruese të investimeve – por gjithashtu ka nxjerrë një sasi të madhe informacioni konfidencial.
Të dhënat e nxjerra përfshijnë emrat dhe adresat e mbi 1.000 informatorëve të SHISH, email-et e kreut të Shërbimit të Inteligjencës, një ish-presidenti dhe një ish-kryepolici, si edhe të dhënat bankare të më shumë se 30.000 njerëzve.
Madhësia e sulmit ka qenë një testim për NATO, ku Shqipëria është anëtare dhe shijon mbrojtjen nën betimin e Aleancës për mbrojtje të përbashkët. NATO thotë se sulmi nuk ka prekur rrjetin apo operacionet ushtarake të saj. Shqipëria është anëtarësuar në të në vitin 2009, një nga 14 vendet ish-komuniste, pjesë e saj.
Neni 5, themeli i Aleancës, thotë se “një sulm i armatosur” kundër çdo aleati në Europë dhe Amerikën e Veriut “konsiderohet si një sulm për të gjithë ato”.
Por, sulmet kibernetike, thotë Rama, janë një formë tjetër agresioni dhe “për këtë, Shqipëria nuk është thirrur në nenin 5. Si përgjigjet aleanca? Duke sulmuar vendin e përcaktuar përmes kibernetikës duke përdorur mjete ushtarake apo me çfarë?” – tha ai.
NATO e ka limituar betimin e saj në mbështetjen për Shqipërinë dhe forcimin e aftësive të saj kibernetik dhe ka denoncuar “aktivitetet keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve.”
Sulmi në Shqipëri nisi në vitin 2021, kur hakerët penetruan në një kompjuter të pambrojtur qeveritar dhe më pas u zgjeruan në rrjetet që përdorte Inteligjenca, policia, policia kufitare dhe agjenci të tjera shtetërore.
Duke qëndruar atje për shumë muaj, të pa kuptuar nga autoritetet, ata shkarkuan sasi të mëdha të dhënash dhe më pas verën e kaluar kur filluan të fshinin skedarët nga serverët, duke dëmtuar shumë shërbime qeveritare. Pas kësaj, ata filluan të nxjerrin informacione të përzgjedhura, shumica e tyre sekrete, në një kanal të shërbimit të mesazheve Telegram të quajtur Homeland Justice.
Ashtu si zyrtarët menduan se vrimat në mbrojtjen e Shqipërisë ishin mbyllur, hakerët u kthyen në sektorin privat, duke goditur të paktën një bankë të madhe, me mesazhe të rreme të llogarive të zbrazura dhe duke lëshuar informacione konfidenciale personale bankare.
“Thjesht vazhdon e vazhdon. Ky është një sulm terrorist me synimin e krijimit të panikut, frikës, për të nxitur pasiguritë dhe për të bërë njerëzit të mendojnë se asgjë nuk është në kontroll”, – tha Rama. “Ata kanë vendosur kudo mina me sahat dhe nuk kanë lënë gjurmë se ku dhe kur do të plasin ato”.
Por targeti i përhershëm duket i qartë. Kanali i Homeland Justice, ka shtuar një opsion të ri vetëm për të denoncuar M.E.K, grupin opozitar iranian, si terroristë dhe duke kërkuar që kampi në Shqipëri të mbyllet, ose do të ketë tjetër kaos.

Porta hyrëse e kampit ku strehohej Muxhahedeen Khalq, i njohur si M.E.K., një grup i fshehtë disident iranian, në vitin 2020. Një kanal Telegram i përdorur nga sulmuesit ka shfaqur postime të rregullta që denonconin grupin si terrorist dhe kërkonin që Shqipëria të mbyllte një kamp. Kredia. ..Tara Todras-Whitehill për The New York Times
Ish-anëtarë e përshkruajnë M.E.K si një kult ogurzi. SHBA- ja e klasifikoi atë si një organizatë terroriste deri në vitin 2012 dhe më pas u mbështet tek Shqipëria për të strehuar mijëra anëtarë.
“Mirë se erdhët në ferr… gjarpërinj! Ju bij nepërkash! Si do të shpëtoni nga dënimi në ferr?”- shkruhej në një mesazh të postuar në kanalin Telegram të hakerëve në dhjetor pasi Shqipëria refuzoi të mbyllte M.E.K. kampin. “Për sa kohë që ekziston MEK, ekzistojmë dhe ne,” paralajmëruan hakerët. “Pse duhet të shpenzohen taksat tona për terroristët e Durrësit?” shkruante një mesazh tjetër.
Për të reduktuar riskun e panikut, qeveria shqiptare ndaloi mediat që të publikonin informacionet që kishte nxjerr Homeland.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar ekspertë nga F.B.I. dhe agjenci të tjera, megjithëse Rama tha, “Sigurisht që do të donim të shihnim qeverinë e SHBA-së të bëjë më shumë, të ndihmojë më shumë dhe të jetë më e pranishme për të na ndihmuar për të ndërtuar mbrojtjen më të mirë të mundshme kibernetike”.
Izraeli, i cili ka përvojë të gjerë në trajtimin e kërcënimeve iraniane, po ndihmon gjithashtu.
Të larguarit nga M.E.K. pyesin nëse Irani qëndron pas sulmit dhe besojnë se fajtori i vërtetë mund të jetë vetë grupi opozitar.
Ka disa shenja që tregojnë se aktorë të tjerë përveç shtetit iranian kanë qenë të përfshirë. Këto përfshijnë pamjen misterioze të një kanali të dytë Telegram që e quan veten po Homeland Justice. Kanali i ri, i rremë përmban të njëjtat postime si ai origjinal i lidhur me Iranin, por fshin përmbajtjen që është veçanërisht e turpshme për qeverinë shqiptare, si listat sekrete të informatorëve të policisë, dhe për të shtuar përmbajtje që me sa duket synon të përforcojë armiqësinë ndaj Irani.
Kanali i parë, në të kundërt, ka kërkuar të qetësojë zemërimin publik për sulmin duke theksuar vazhdimisht se objektivi i tij nuk janë shqiptarët e zakonshëm, por M.E.K. dhe qeveria shqiptare për refuzimin e dëbimit të grupit.
Qeveria shqiptare ka rezistuar duke iu nënshtruar shantazheve dhe ka refuzuar të dëbojë M.E.K. Të bësh këtë, tha Rama, do të ishte “turpi më i madh” për një vend me një histori të gjatë të strehimit të refugjatëve, duke përfshirë mijëra afganë në 2021.
Por ai u ankua se M.E.K. nuk ishin “njerëz të lehtë, sinqerisht” dhe se grupi kishte shkelur një marrëveshje që do të përmbahej nga përdorimi i Shqipërisë si “një strehë e sigurt për të kryer aktivitet politik kundër regjimit iranian”.
Në vend të kësaj, grupi ka organizuar ngjarje të profilit të lartë në Shqipëri që synojnë të grumbullojnë opozitën ndaj Teheranit, duke përfshirë një mbledhje vjetore të quajtur Samiti Botëror i Iranit të Lirë, folësit e të cilit kanë përfshirë mbështetës të shquar amerikanë si Rudolph W. Giuliani, një ish-kryetar bashkie dhe dikur një avokat personal i ish-presidentit Donald J. Trump.
Disidentët iranianë, tha Rama, kanë “miq në Capitol Hill që lobojnë për ta”, por tani janë urdhëruar të ndalojnë aktivitetet publike kundër Iranit. M.E.K. anuloi ngjarjen e Iranit të Lirë vitin e kaluar. “Nuk ka më nga kjo tani,” tha kryeministri. “Shpresojmë që ata të mos e provojnë më sepse nuk është e dobishme për këtë vend dhe ata duhet ta pranojnë këtë.”
Burimi: New York Times/ Përshtati: Gazeta ‘Si’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




