Nga Gazeta Si- Në Shqipëri nuk kryhen testet për gripin, si në rastin e Covid-19, kur testet ishin në shitje në tregun farmaceutik.
Ekspertët e shëndetit publik, thonë për Gazetasi.al, se kryerja e shpejtë e tyre do të eliminonte pasojat e virusit të gripit, duke shmangur deri dhe vdekjen.
“Në rajon dhe më gjerë, në farmaci gjenden teste të gripit që të lejojnë të fillosh mjekimin me antiviral menjëherë për 48 orët e para, për të mos u rënduar gjendja shëndetësore. Kjo do të shmangte dhe numrin e lartë të shtrimeve në spital, kur gjendja e pacientit komplikohet”, thotë doktor Ilir Alimehmeti.
Sipas epidemiologut Alimehmeti, identifikimi i virusit me të cilin mund të jetë prekur pacienti, mund të shmangë dhe kostot e larta shëndetësore të tij.
“Një pacient i prekur nga simptomat e gripit, në mungesë të testit të shpejtë, kryen me rekomandimin e mjekut të familjes një sërë ekzaminimesh, duke nisur nga analizat e gjakut, grafi për mushkëritë etj. E më pas, në rast të prekjes nga infeksioni akut respirator ai duhet ti nënshtrohet një ekspertize mjekësore në spital. Nëse do të kryente testin e shpejtë, mjekimi me antiviral 24 deri në 48 orët e para, do të shmangte kostot financiare”, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Nga të dhënat më të fundit të Qendrës Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve infektive, i gjithë rajoni ynë po raporton shifra të larta të infeksioneve respiratore, pasi aktualisht qarkullojnë 3 viruse gripi, virusi sincicial (RSV), virusi i ngjashëm me gripin HMPV dhe covid-19.
Mjekët bëjnë apel që të mos neglizhohen simptomat por pacienti duhet ti drejtohet menjëherë mjekut të familjes për të marrë rekomandimet e duhura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.