Shendet

Shqipëria nuk ka statistika se sa të sëmurë ka me celiaki

Sëmundja e celiakisë ose “enteropatia kronike ndaj glutenit” është një çrregullim sistemik me natyrë autoimmune që nxitet nga gluteni në individë, që janë gjenetikisht të ndjeshëm ndaj saj. Ajo është një sëmundje digjestive, e cila dëmton zorrët e holla dhe ndërhyn në thithjen e lëndëve ushqyese nga ushqimi. Njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, nuk mund të tolerojnë një proteinë të quajtur "gluten”, e cila gjendet në grurë, thekër dhe elb. I vetmi trajtim për sëmundjen e celiakisë është ndjekja e një diete pa gluten. Gluteni mund të gjendet në shumë ushqime, por gjithashtu mund të gjendet në produkte ushqimore që ne përdorim çdo ditë, si dhe në ilaçet dhe vitaminat.

Elsa Zhulali, drejtuesja e fondacionit "Grow Albania", njëkohësisht drejtuese e projektit "Gluten-Free Albania", tregon për Gazetasi.al se sëmundja celiakisë mund të shfaqet përmes një sërë simptomave, nga të lehta deri në shumë të rënda, ku trajtimi i vetëm është ndjekja e një diete  rigoroze pa gluten.

"Ndonëse mungojnë statistikat zyrtare, në Evropë vlerësohet se 1 në 100 ndividë vuajnë nga sëmundja e celiakisë. Duke u bazuar mbi këto të dhëna, mund të supozohet se më shumë se 7 milionë njerëz janë të prekur nga sëmundja e celiakisë në të gjithë Evropën, ku afërsisht 25% e këtyre individëve marrin një diagnozë," shpjegon Zhulali.


Studime të hershme kanë treguar se kjo sëmundje është e vështirë për t'u dalluar sepse ngatërrohet me sëmundje të tjera gastro-intensinale. Simptomat më të zakonshme përfshijnë, diarre kronike, fryrje barku, humbje oreksi, irritim dhe humbje të madhe në peshë.

Zhulali shpjegoi për Gazetasi.al se "Gluten-free Albania" u krijua në vitin 2019, fillimisht në formën e një faqeje në "Facebook" dhe “Instagram”. Ajo shton se misioni i këtij projekti është të ndërgjegjësojë shoqërinë shqiptare mbi të gjitha sfidat e sëmundjes së celiakisë, itolerancës ndaj glutenit dhe sigurisë ushqimore.

"Gluten-free Albania shërben si një hapësirë interaktive për të shkëmbyer përvoja, njohuri, receta pa gluten, vlerësime se sa të sigurta janë ushqimet të etiketuara “pa gluten”, vlërësime se sa miqësore janë restorantet në shqipëri ndaj individëve intolerantë ndaj glutenit, si dhe ekspertiza apo praktikat më të mira mjekësore, që lidhen me këtë sëmundje dhe intolerancë ushqimore," shton Zhulali.

Elsa shton se shoqata ka marrë pjesë edhe në Komisionin e Shëndetësisë duke pasur dy kërkesa thelbësore për të prekurit nga celiakia.
-Përcaktimin e një protokolli të diagnoztikimit të kësaj sëmundjeje, bazuar në udhëzimet e reja (2020) për diagnoztikimin e Sëmundjes së Celiakisë te femijet nga Shoqata Evropiane për Hepatologjinë dhe Ushqimin e Gastroenterologjisë Pediatrike (ESPGHAN).
-Ripërfshirjen e sëmundjes së celiakisë në skemën e rimbursimeve, të paktën për fëmijët 0-18 vjeç. Kjo nënkupton rimbursimin e medikatementit për trajtimin e kësaj sëmundjeje, që në këtë rast janë ushqimet “pa gluten”.

'Kostoja e një jete/diete pa gluten për femijë dhe të rritur është rreth 15000 lekë. Duke marrë në konsideratë koston e lartë që kërkon trajtimi i kësaj sëmundjeje, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar Shqipërinë dhe Kosoven e kanë përfshirë këtë sëmundje në skemën e rimbursimit," shton Zhulali.
Sipas Zhulalit jeta pa gluten shoqërohet me sfida të ndryshme sociale, psikologjike dhe shëndetësore, sidomos në një vend si Shqipëria, ku siguria ushqimore është në nivel shumë të ulët.

“Në sajë të disa testimeve që kemi kryer në produkte të markave shqiptare, megjithëse etiketohen apo reklamohen "pa gluten", kanë rezultuar në fakt me gluten. Kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme për shëndetin, pasi mbajtja e nje diete sa me rigoroze pa gluten është jetike. Sipas studimeve më të fundit, siguria ushqimore është një nga shkaktarët kryesorë te shfaqjes se sëmundjeve të ndryshme," shton Zhulali.

Ndërkaq ajo shton se pacientët shqiptarë që vuajnë nga celiakia nuk janë të sigurtë çfarë konsumojnë.

"Gluten-free Albania e ka adresuar këtë çështje me shumë seriozitet, duke testuar produkte, duke kontaktuar kompanitë prodhuese shqiptare, të cilat pasi u kemi përcjellë informacionin e saktë, me prova dhe argumente të pakundërshtueshme, kanë reaguar pozitivisht, duke tërhequr produktet e tyre nga tregu, duke kërkuar edhe ndjesë publike," shpjegon Zhulali.

Por sipas saj ka pasur edhe shumë kompani të cilat nuk kanë reaguar, pavarësisht raportimeve dhe denocimeve që janë bërë në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit. Ajo shton se etiketimi pa kriter dhe kontroll i produkteve “pa gluten”, mund sjellë pasoja fatale për individët që janë të prekur nga sëmundja e celiakisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë