Nga Megi Iskurti-“Mjaft të hedhësh një sy nga ligji i tij, për të kuptuar që situata në turizëm është në trajtat e një gjendje kaotike dhe një sy në terren për të kuptuar që kjo gjendje vjen nga moszbatimi i akteve nënligjore dhe mungesa e një perspektive të afërt që i vë në zbatim ato”.
Kështu thotë për Gazetasi.al Flora Xhemani Baba, eksperte turizmi, për të cilën problemet në aktet nënligjore e kanë zanafillën që tek sistemi i klasifikimit të yjeve. Atij që konsiderohet si A-ja e turizmit, që Shqipëria nuk e ka.
“Mjafton ta përmendim këtë sistem për të kuptuar që ne nuk jemi hiçgjëkundi. Kudo në botë kur një turist do të pronotojë, interesohet për numrin e yjeve që ka hoteli, në mënyrë që të gjejë atë që ai kërkon.
Duke mos patur një gjë kaq bazike, aktet e tjera nënligjore që janë akoma më të detajuara si mirëfunksionimi i agjencive, cili biznes quhet agjenci dhe cili tur-operator si dhe çfarë u lejohet me ligj, kanë mbetur në letër”, citon ajo ndërsa nuk ngurron të evidentojë një sërë çështjesh të tjera të cilat duhet të përfshihen në strategji.
Lulëzimi i apartamenteve me qira në Booking dhe Airbnb këto pesë vitet e fundit, që nuk kanë nipt dhe nuk janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, është një ndër të shumtët.
“Janë biznese të paligjshme qoftë edhe të vogla që jetojnë në kurriz të ligjshmërisë të hoteleve të tjera dhe i konkurrojnë ato në mënyrë të padrejtë.
Megjithëse Shoqata e Hoteleve ka bërë kërkesë vazhdimisht ndaj shtetit, kjo nuk është zgjidhur as me shtet, as me privat.
Ata u janë drejtuar kompanive Booking dhe Airbnb që t’u kërkojnë minimalisht një nipt ose licencë këtyre subjekteve. Kompanitë u kanë thënë që duhet një shkresë zyrtare nga ministria ose nga shteti për ta bërë këtë gjë në formë ligjore”, vijon mandej Xhemani ndërsa shton se edhe përse kjo është një procedurë shumë e thjeshtë,sërish nuk është zgjidhur.
Mungesë informacioni turistik praktik
Sagës së çështjeve që duhen rishikuar në strategji, i shtohet edhe informacioni sporadik e i rrëmujshëm.
“Mungesa e informacionit që ekziston në Shqipëri vjen kryesisht sepse enti kryesor i turizmit që është Agjencia Kombëtare e Turizmit, nuk ka një databazë të saktë të hoteleve, përveç faktit që nuk është e përditësuar.
Aty mund të gjesh informacione standarde që turisti mund t’i gjejë madje akoma më të plota edhe në shumë faqe të tjera.
Kemi mungesë të një strukture që të orienton ty si të udhëtosh në Shqipëri, një orar autobuzësh, të taksive apo të transportit që të dërgon në aeroport. Shqipëria përballet me një mungesë të informacionit turistik praktik që është i domosdoshëm për të orientuar turistin”, shton mandej ajo për Gazetasi.al ndërsa vijon se theksi i zhvillimit të turizmit shqiptar duhet të vihet tek panairet ku ne nuk po marrim më pjesë.
Ndërprerja e panaireve, një tjetër handikap
Ndërsa pas pandemisë të gjithë shtetet e rajonit u janë rikthyer pjesëmarrjes në panaire, Shqipëria i ndërpreu ato.
“Shqipëria madje po shkrin Agjencinë Kombëtare të Turizmit e cila është ajo që na dërgon nëpër panaire dhe na bën t’i prezantohemi botës.
Shteti shqiptar po ndjek një strategji që nuk mund t’i thuash se është e gabuar, mes promocionit të Shqipërisë nga media të ndryshme të botës, megjithatë nuk është mënyra se si duhet t’u qasemi turistëve tani.
Nuk ka transparencë totale për të kuptuar nëse janë artikuj të paguar apo shkruhen në mënyrë spontane por edhe nëse paguhen, nuk është e gabuar. Por sot nuk jemi si para 20 vjetësh që të informojmë tregun ndërkombëtar për të na njohur. Duhet të vjelim turistë përmes agjencive”, i mëshon më tej idesë ajo për Gazetasi.al.
Xhemani sjell shembullin e Malit të Zi i cili jo vetëm ka shpërndarë aeroporte në disa qytete të ndryshme por nëpërmjet pjesëmarrjes në panaire që nga Japonia deri në Australi, me vetëm 1/3 të vijës tonë bregdetare, vjel 300% të ardhurave më shumë nga turizmi krahasuar me Shqipërinë.
“Nëse një britanik dëshiron që të vijë në Shqipëri, duhet të vijë në mënyrë individuale sepse nga mungesa e panaireve, agjencitë private nuk krijojnë partneritet me agjencitë britanike.
Nga 10 mijë britanikë që vijnë individualisht, përse të mos vijnë 100 mijë të organizuar me charter dhe me paketa?”, shton ajo.
Vala e kuriozitetit që është nxitur për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshin në të edhe Shqipërinë. Por sipas Xhemanit, pa përmirësuar strategjinë, pa vënë në zbatim aktet nënligjore dhe pa strukturuar sa më mirë ofertën tonë turistike, nuk do të mund të përfitojmë nga ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.