Tri ditë nga fundi i Olimpiadës së Parisit, kur sportistët shqiptarë janë skualifikuar dhe për të qenë të gjithë të sinqertë, nuk është se pritej diçka nga ata, duke përjashtuar 3 mundësit rusë, të cilët nën ngjyrat e flamurit kuqezi, këtë e bëjnë për arsye financiare (pasi jemi ndër vendet që i vlerësojmë shumë medaljet dhe arritjet ndërkombëtare: medalja e artë shpërblehet me 10 milionë leke, ajo e argjendtë 7 milionë, ndërsa e bronzta 5 milionë lekë).
Por edhe për ato politike (pasi sportistët rusë që nga fillimi i luftës me Ukrainën, nuk lejohen të marrin pjesë në asnjë aktivitet sportiv) ishin qendra e vëmendjes dhe shpresa më e madhe për një medalje olimpike për Shqipërinë, që nuk ka fituar kurrë një të tillë.
Megjithatë, te Zelimkhan Abakarov, mundësi tek i cili pritej më tepër, nisur nga arritjet e deritanishme, Kampion Bote në vitin 2022, medalje e artë, medalje bronzi në Botërorin e vitit 2023 dhe medalje e argjendtë në Europianin e 2023-shit, u shua edhe një shpresë…
Nuk dimë se si ta quajmë, ishte pafat apo i papërgatitur, por në tentativën e tij të dytë, në çerekfinale të Olimpiadës, në peshën 57 kg, Abakarov u mund nga mundësi indian me rezultatin e thellë 12-0, duke shuar pjesën më të madhe të shpresave të ekipit tonë olimpik kuqezi.
Tashmë mbetet vetëm radha e Islam Dudaev dhe Chermen Valiev, të cilët do të provojnë të bëjnë të njëjtën gjë më 9 dhe 10 gusht. Të gjitha shpresat për të ‘kaluar ylberin’ kanë mbetur te këta…
Eshtë për të ardhur keq që edhe Olimpiada e 10-të në historinë tonë të pjesëmarrjeve, po shkon drejt përmbylljes me zero, në të treja kolonat e klasifikimit të tipit të medaljeve. Shqipëria gjendet në vendin e 72-të, si i vetmi nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse me zero medalje.
Keqardhja bëhet më e madhe kur shikon vende, që zor të shkon mendja që ekzistojnë, si Kepi i Gjelbërt, një ishull afrikan me vetëm 500.000 banorë, Ishujt Fixhi që ka vetëm 1 milion banorë apo Grenada, një nga ishujt pjesë e Karaibeve, me vetëm 100.000 banorë, por që të paktën e kanë provuar këtë shije, dhe e kanë pare flamurin e tyre kombëtar në podiumin olimpik, ndërkohë ne edhe këtë herë jo.
Por nëse në të shkuarën e kemi justifikuar “shterpësinë” e medaljeve me mungesën e fondeve dhe buxheteve, nuk mund të themi që kësaj here munguan paratë në prag të kësaj Olimpiade. Vetëm në dy vitet e fundit Komitetit Olimpik Shqiptar mori rreth 10 milionë euro nga qeveria shqiptare. Buxhetet shkuan të adresuara me projekte të caktuara, si sporti nëpër shkolla apo federative të sporteve të lojërave me dorë, si basketolli dhe volejbolli, sporte që nuk kanë mundur të shkojnë kurrë dhe janë vite drite larg një mundësie për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.
Përgjithësisht, vende të vogla dhe me buxhete të kufizuara, në pamundësi për të patur një pjesëmarrje të gjerë në Lojërat Olimpike, përpiqen dhe hartojnë politika të investimit, përgatitjeve dhe plane për ato sporte që i kanë të traditës, apo përqendrohen në individë që kanë të ardhme të suksesshme. Ky është çelësi i suksesit të tyre, pikërisht ky menaxhim është edhe mangësia kryesore e sportit shqiptar…
Megjithatë të gjithë ne e kemi një shpresë, jo te sportistë të krijuar e formuar këtu, por te ata që erdhën të përgatitur, të paktën për të na dhënë gëzimin e një medaljeje olimpike të blerë, jo të menduar apo të planifikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.