Nga Gazeta ‘Si’- “Nuk ka rrugë të shkurtër për në Bashkimin Europian përveç performancës së duhur në reforma”.
Kështu deklaroi Përfaqësuesja e lartë e KE, Kaja Kallas në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama. E pyetur nëse integrimi i Shqipërisë në BE është i mundur në vitin 2030, Kallas tha se ky është objektiv realist nëse “të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë”.
Ajo tha Shqipëria është një partner i fortë i BE-së dhe është në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe sigurisë së BE.
Kallas vlerësoi vendimin e Shqipërisë për të zbatuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe për të mbështetur Ukrainën.
“Ju jeni edhe te vlefshëm për bashkëpunimin në rajon, për të pasur një mjedis të sigurtë. BE është plotësisht e angazhuar sa i përket Shqipërisë dhe sjell të mira për të dyja palët. Ne për ju jemi partneri më i fortë tregtar. Do të lançojmë dialogun e parë Shqipëri-BE për sigurinë dhe mbrojtjen. Ky është një hap vërtetë shumë i rëndësishëm sepse po thellojmë më tej bashkëpunimin edhe në sektorin e sigurisë. Kemi dëshirë të zgjerojmë këtë bashkëpunim në fusha të reja, si sigurua kibernetike”, tha Kallas.
Teksa u pyet lidhur me reformën në Drejtësi, Kallas u shpreh se reformat e BE kanë disa faza dhe se qytetarët duhet të shohin që të gjithë po e marrin seriozisht punën në lidhje me sundimin e ligjit dhe korrupsionit.
Ajo theksoi se një nga themelet e sundimit të ligjit është që paratë e qytetarëve të shihet se po shkojnë aty ku duhet të shkojnë.

E pyetur edhe nëse rotacioni politik e ngadalëson procesin e integrimit, Kallas tha se të gjitha palët politike duhet të angazhohen në anëtarësimin në BE. Ndërkohë, kryeministri Rama përsëriti se e vetmja forcë politike që sipas tij, mund ta bëjë këtë gjë, është Partia Socialiste.
Rama tha se me Kallas kanë diskutuar jo vetëm për integrimin e Shqipërisë, por edhe për çështjet rajonale.
Ai theksoi se Shqipëria është në të njëjtën linjë me BE sa i takon politikës së jashtme, ndërsa shtoi se destinacioni i vendit tonë për në BE është pikë referimi për politikën e ditës.
Rama po ashtu tha se sot lufta është një kërcënim real dhe shtoi se Evropa duhet të forcohet.
“Popujt e Europës e ndjejnë që lufta nuk është një film bardh e zi i të shkuarës, por është një kërcënim real ndaj të cilit Europa duhet të shtrëngojë radhët dhe të forcohet”, tha ai.
Gjatë vizitës së Kallas në Tiranë, u nënshkrua një marrëveshje në vlerë prej 90 milionë eurosh për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e ‘Korridorit VIII”.
Rama tha se ky segment hekurudhor është një arterie kyçe që do të “lidhë Shqipërinë me rrjetin evropian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin” e saj si një nyje lidhëse në rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.