Kombetarja

Shqipëria ndryshon e gjitha ndaj Armenisë, mbeten vetëm Hysaj e Mihaj

Gazeta Si – Shqipëria luan sot në ‘Air Albania’ ndeshjen e fundit për 2022-shin, miqësoren me Armeninë. Mund të jetë ndeshja e fundit edhe për trajneri Edi Reja në stolin e Kombëtares kuqezi, pavarësisht dëshirës së tij për të vazhduar.

Për testin e sotëm Reja ka vendosur të ndryshojë thuajse gjithë formacionin. Disa zgjedhje janë të detyruara, sepse Broja, Uzuni dhe Roshi janë larguar për në klubet e tyre pas Italisë, por edhe për t’u dhënë mundësi lojtarëve të rinj të tregojnë vlerat e tyre me fanellën kuqezi.

Nga ndeshja me Italinë, të vetmit që pritet të zbresin në fushë nga minuta e parë janë mbrojtësit Enea Mihaj dhe Elseid Hysaj. Në portë pritet të aktivizohet Elhan Kastrati dhe para tij, përveç Mihajt, do të luajnë kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, si dhe Ardian Bajrami.

Në mesfushë do të ketë hapësirë për një tjetër lojtar të kampionatit shqiptar, Andi Hadroj të Partizanit. Reparti plotësoshet me kapitenin Hysaj në të djathtë dhe Laçin, Asllanin dhe Çokajn në qendër.

Në sulm do të jenë dy lojtarë të rinj, Xhuljano Skuka i Partizanit dhe Ernes Muçi që aktivizohet me Legian e Varshavës në Poloni. Kuqezinjtë synojnë fitoren, që do të ishte e para për këtë vit. Ndeshja me Armeninë nis në orën 17:30.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë
Kastrati
Gurishta Mihaj A.Bajrami
Hysaj Çokaj Asllani Laçi Hadroj
Skuka Muçi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë