Ekonomi

Shqipëria ndër vendet me borxhin më të lartë publik, renditet pas Greqisë

Shqipëria renditet si ndër vendet me borxhin më të lartë publik në Europë dhe Rajon për vitin 2021, me 78.5% në raport me PBB-në.

Të dhënat e Eurostat e rendisin Shqipërinë pas Greqisë, Italisë, Portugalisë, Spanjës, Francës, Belgjikës, Qipros, Malit të Zi, Austrisë dhe Kroacisë. Ndërsa në rajon, Shqipëria është e dyta, pas Malit të Zi.

Vendet e tjera të rajonit kanë nivele më të ulëta të borxhit, Serbia dhe Maqedonia e Veriut me nga 58% të PBB-së, Bosnja në 36% dhe Kosova ka ndër borxhet më të ulëta të Europës, me 22% të PBB-së.

Sipas Eurostat, në fund të tremujorit të katërt të vitit 2021, raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së në eurozonë ishte 95.6%, krahasuar me 97.5% në fund të tremujorit të tretë 2021. Në BE, raporti gjithashtu u ul nga 89.9%. në 88.1%.

Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, raporti i borxhit të qeverisë ndaj PBB-së ra si në eurozonë (nga 97.2% në 95.6%) dhe në BE (nga 90.0% në 88.1%). Ulja erdhi për shkak të rritjes së PBB-së që tejkalon rritjen e borxhit të qeverisë.

Ishte viti 2020 ai që detyroi shtetet të rrisnin borxhin për përballimin e pandemisë dhe vendi jonë pati ndër rritjet më të shpejta të tij. Ndonëse borxhi u rrit me ndër ritmet më të lart atë Europës, mbështetja e ekonomisë për pandeminë ishte më e ulët në Europë, me më pak se 1% e PBB-së, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Borxhi publik i vendit tonë u rrit përtej rekomandimeve të FMN-së, për ta mbajtur atë në nivelin e 70% kundrejt Produktit të Brendshëm Bruto.

Gjithashtu, borxhi i lartë publik i Shqipërisë dhe rifinancimi i tij është cilësuar si i rrezikshëm nga vetë Fondi, Banka Botërore dhe agjencia Moody’s.

“Në skenarin bazë, borxhi publik pritet të bjerë lehtësisht në 78.1% të PBB-së në vitin 2022 dhe në mënyrë më të konsiderueshme në periudhën afatmesme. Megjithatë, bilanci fiskal mund të përkeqësohet më tej, nëse mjedisi ndërkombëtar do të jetë i pafavorshëm, duke e detyruar qeverinë të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së”, paralajmëron Banka Botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë