Treg

Shqipëria ndër vendet e para në Europë për prodhim të energjisë së rinovueshme

Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë të përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë në rajon dhe ndër të parat në Europë. Energjia e rinovueshme në vitin 2020 ishte 45% nga totali i prodhuar dhe 99.9% e asaj të konsumuar.  

25% e energjisë së konsumuar nga shqiptarët gjatë vitit 2020 është shpenzuar për ngrohje dhe ftohje. Shifër që është ulur në raport 15 vjeçar, por është rritur nga vitet e fundit.

Por në përdorimin e energjisë për transport, Shqipëria renditet ndër të fundit, me pothuajse 1% përdorim energjie për lëvizje me mjete motorike.

Në të gjithë Europën, nivelin më të lartë të prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme e ka Islanda me 83.7% të energjisë në total, Norvegjia me 77.4% dhe Suedia me 60.1%, ndjekur më pas nga vendi jonë. Nivelin më të ulët e ka Malta, me vetëm 10.7% energji të rinovueshme të prodhuar.

Në rajon, pas vendit tonë qëndron Mali i Zi, me 43.7%. Serbia është e treta e renditur në nivel rajoni dhe ndiqet nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut, me 25.9%, 24.4% dhe 19.2% respektivisht.

Raporti i Eurostat vlerëson se Europa ka bërë një progres nga viti 2009-2019 në zgjerimin e burimeve të energjisë në tre alternativa të reja, siç është energjia nga era, nga dielli dhe nga biofosilet, përfshirë mbetjet e rinovueshme. Në vitin 2020, në vendet e BE-së, energjia e konsumuar ishte 37.5% e prodhuar nga burime të rigjenerueshme.

Energjia hidrike dhe eolike përbën më shumë se 2/3 e energjisë së prodhuar në total në kontinent. 1/3 ishte një përzierje midis energjisë solare, biofosilet dhe të tjera.

Energjia solare është ajo me zhvillimin më të shpejtë që nga viti 2008, kur raportohej vetëm 1% dhe tani 14%. Rritja ka qenë dramatike nga 7.4 twh në 2008 dhe 144.2 twh në 2020.

Shqipëria është furnizuar gjithmonë me energji nga hidrocentralet, burim i rinovueshme hidrik, por vitet e fundit po zhvillohen projekte për të zgjeruar dhe më tej opsionet duke shfrytëzuar kapacitetet natyrore të Shqipërisë, si parqe fotovoltaike dhe eolike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë