Nga Gazeta Si- Europa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë dhe viti 2024 ishte viti më i ngrohtë i regjistruar, me temperatura rekord në disa rajone, sipas raportit më të fundit për gjendjen klimatike.
Kontinenti pa ekstreme të nxehti dhe të ftohti, ku vendi ynë është një nga vendet që pa temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.

Ndërkohë, në Europë, ditët me mot të ngrohtë, shumë të ngrohtë dhe ekstrem të ngrohtë ishin më të shumtat të regjistruara ndonjëherë për një vit.
Gati 60% e Evropës pa më shumë ditë se mesatarja me “temperatura ekstreme të nxehtësisë” ndërkohë që ditët me temperatura ekstreme të ftohta ranë.
Nga 97 ditë që priten të jenë temperatura të ngrohta, nga 1 qershor në 1 shtator, në Europë ishin 43 ditë me valë të nxehti.
“Këto ngjarje ekstreme çuan në rreth 18 miliardë euro dëme, 85% e të cilave i atribuohen përmbytjeve,” thotë Samantha Burgess, zëvendës drejtoreshë e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike ”Copernicus” C3S.
Stuhitë e forta dhe përmbytjet morën 335 jetë vitin e kaluar dhe prekën rreth 413,000 njerëz. Shkencëtarët gjithashtu raportuan se lindja ishte jashtëzakonisht e thatë, ndërsa perëndimi dëshmoi kushte të ngrohta dhe të lagështa.
“Ky raport thekson se Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë dhe po përjeton ndikime serioze nga ndryshimet ekstreme të motit dhe klimës. Përshtatja është një domosdoshmëri”, tha në një deklaratë sekretarja e përgjithshme e Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së (WMO), Celeste Saulo.
Pikat e nxehta të ndryshimeve klimatike
Europa përjetoi përmbytjet më të përhapura që nga viti 2013. Pothuajse një e treta e rrjetit të lumenjve të kontinentit përjetoi përmbytje që tejkaluan pragun e përmbytjeve ‘të larta’.
Të gjitha rajonet europiane panë një humbje akulli për shkak të temperaturave rekord ndërsa në shtator, zjarret në Portugali dogjën rreth 110,000 ha tokë në një javë, që përfaqëson rreth një të katërtën e sipërfaqes totale vjetore të djegur të Evropës dhe rreth 42,000 njerëz u prekën nga zjarret në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.