Nga Gazeta Si- OBSH ka dhënë alarmin duke thënë se gjysma e disgnozave të HIV në Europë zbulohen shumë vonë dhe Shqipëria është mes vendeve që ka përqindjen më të lartë të diagnozave të vona.
Në raportin e përbashkët të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), “Mbikëqyrja e HIV/AIDS në Europë” shkruhet se në Shqipëri, rreth 67 për qind të rasteve të HIV diagnostikohen vonë, duke nxitur kështu edhe zinxhirin e transmetimit.
Sipas ekspertëve, përqindja e lartë e diagnozave të vona është kryesisht e nxitur nga përqindja e lartë e njerëzve të infektuar përmes kontaktit heteroseksual.
Në Shqipëri janë 1848 persona të diagnostikuar për 10 vite ndërkohë që në 2024 janë 20 infektime tek burrat e infektuar përmes seksit me burra. Ky numër është më i vogël krahasuar me vitet paraardhëse, ku në 2023 ishin 38 infektime ndërsa në 2022 ishin 33 infektime.
Më shumë se gjysma e diagnozave të HIV-it në Europë (54%) konfirmohen shumë vonë për të siguruar trajtimin optimal të infeksionit. Në vendet e Bashkimit Europian dhe të Zonës Ekonomike Europiane, kjo përqindje është 48%.
Sipas raportit, mbi gjysma e personave të diagnostikuar kanë një numër të qelizave CD4 nën 350 qeliza/mm³, ndërsa rreth një e treta paraqiten me infeksion të avancuar të HIV-it, me më pak se 200 qeliza/mm³. Diagnoza e vonë është më e shpeshtë tek burrat heteroseksualë, përdoruesit e drogës me injeksion dhe personat e moshuar.
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, paralajmëron se numri i njerëzve që jetojnë me HIV pa u diagnostikuar po rritet, duke nxitur zinxhirin e transmetimit.
“Nuk po bëjmë mjaftueshëm për të kapërcyer barrierat e stigmës dhe diskriminimit që i pengojnë njerëzit të kryejnë një test të thjeshtë”, thekson ai.
Në këtë situatë, OBSH dhe ECDC kërkojnë veprime urgjente me rritjen e testimeve të rregullta, zgjerimin e aksesit në vetë-testim dhe arritjen e grupeve të popullsisë që nuk përfitojnë dot nga shërbimet shëndetësore tradicionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



