Ekonomi

Shqipëria, mes destinacioneve më tërheqëse turistike edhe për 2026-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Sipas parashikimeve të Oxford Economics, Shqipëria pritet të jetë në Top 40 të destinacioneve më tërheqëse për turistët gjatë vitit 2026. Studimi tregon se vendi ka shënuar rritjen më të madhe në rang global si destinacion turistik, duke kaluar nga vendi i 67-të në vitin 2010 në vendin e 36-të (të parashikuar) për vitin 2026.

Shumica e kësaj rritjeje ka ardhur vitet e fundit falë çmimeve të përballueshme, zgjerimit të linjave ajrore me kosto të ulët, lehtësirave për hyrje pa viza dhe strategjive të efektshme marketingu, analizojnë ekspertët e Oxford.

Përveç Shqipërisë, edhe Mali i Zi dhe Malta pritet të jenë destinacione të preferuara për turistët. Lista e destinacioneve më tërheqëse kryesohet nga Franca, Spanja, Italia, Turqia dhe Greqia. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara pritet të regjistrojnë një rënie të vizitorëve, e cila mund të kompensohet pjesërisht nga Kupa e Botës që do të zhvillohet atje.

Analiza e Oxford sugjeron gjithashtu monitorimin e vendeve të reja me rritje të shpejtë turistike. Një shembull është Maroku, i cili, ndonëse ndodhet më poshtë në renditjen globale, ka përjetuar një rritje të konsiderueshme falë pozicionimit si destinacion i përballueshëm dhe me oferta kulturore autentike. Ekspertët presin që Maroku të vazhdojë të rritet në turizmin ndërkombëtar gjatë vitit 2026 dhe në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, veçanërisht për shkak të investimeve të bëra përpara Kupës së Botës FIFA 2030, ku vendi do të jetë bashkëpritës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë