Financa Personale

Shqipëria me të ardhurat e disponueshme më të ulëta, sa 24% e mesatares europiane

Nga Gazeta ‘SI’ - Të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve mbeten më të ulëtat në Europë, sipas Eurostat. Të ardhurat mesatare të disponueshme janë të ardhurat totale të një familjeje, pas taksave dhe shpenzimeve të tjera, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes.

Këtë tregues Eurostat e mat sipas PPS, fuqisë blerëse dhe për Shqipërinë shifra rezulton 4.385, pa asnjë përmirësim. Ndërkohë mesatarja europiane është 17.926 PPS. Rritja e kësaj mesatareje dhe ‘ngrirja’ e treguesit për Shqipërinë, tregon se të ardhurat e disponueshme të qytetarëve shqiptarë sa vijnë dhe zhvlerësohen.

Këto të ardhura, vlerësohen sa 24% e atyre europiane pothuajse në përfundim të vitit 2023. E njëjta vlerë, në fillim të vitit vlerësohej 24.4%, pra pesha ka rënë ndonëse numri është i njëjtë. Si rrjedhojë fuqia blerëse e një familjeje shqiptare është katër herë më e ulët se ajo e mesatares europiane.

Për Shqipërinë, Eurostat thekson se është mbështetur nga të dhënat e 2020-s.

Nivelet më të larta të të ardhurave mesatare të disponueshme u regjistruan Luksemburg (33.214 PPS), Norvegji ( 27.090 PPS), Zvicër (26.389 PPS), Holandë (25.437 PPS).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë