Nga Gazeta ‘SI’ – Disa muaj pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës dhe një periudhë të stabilizimit të tregjeve të naftës, çmimi i saj në Shqipëri mbetet i lartë.
Sipas GlobalPetrolPrices, matësi botëror i çmimeve të karburanteve, Shqipëria mban vendin e 9-të në rang botëror për naftën më të shtrenjtë. 1 litër naftë në vendin tonë kushton mbi 2.1 dollarë ose rreth 200 lekë.

Sipas renditjes, Shqipëria listohet fill pas vendeve më të pasura të botës, si Finlanda, Zvicra , Hong Kongu dhe lë pas vende të tjera të pasura.
Në vendet e tjera të rajonit, nafta shitet nga 20-50 lekë më lirë, duke i lënë Shqipërisë ‘të shijojë’ vendin e parë.

Që pas shfuqizimit të Bordit të qeverisë, shtrenjtimi i naftës në vend ka qenë i shpejtë, ndonëse një parashikim i tillë u hodh poshtë nga ish-ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, pasi “çmimet janë stabilizuar”. Rënia e çmimeve në tregjet globale përgjatë këtij viti nuk u reflektua kurrë në tregun lokal.
Nga ana tjetër, kursi i këmbimit në Shqipëri ka favorizuar një naftë më të lirë e as kjo nuk ndodhi. Grosistët e naftës janë ndër palët e pakta që fituan nga zhvlerësimi i valutave në vend, specifikisht dollarit me të cilën bëhet tregtia e karburanteve në botë. Zhvlerësimi i dollarit kundrejt lekut pritej të sillte një rënie të vlerës së naftës.
Por rritjet reflektohen shumë shpejt. Zhvillimet e fundit midis OPEC, që ndikuan në rritjen e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, pritet të ndikojnë dhe vendin tonë, jo më larg se java e ardhshme.
Kreu i shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, në një dalje për mediat tha se ka shumë mundësi që java e ardhshme të sjellë në shtrenjtim të çmimit të naftës në Shqipëri.
Në rast se parashikimi jetësohet, efekti i parë pritet të jetë në inflacion dhe një rritje tërësore e çmimeve. Efekti i dytë në fuqinë blerëse të shqiptarëve.
Shqipëria ka importuar këtë vit më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në harkun e muajve janar-tetor u blenë nga jashtë 512 mijë e 352 tonë karburant. në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, importet janë zgjeruar me gati 50 mijë tonë apo 10.8%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.