Interneti i ofruar përmes kompanive celulare në Shqipëri është me çmimin më të ulët në rajon, megjithatë gjysma e klientëve të lidhur në rrjet me shërbimin e internetit të shpejtë 3 dhe 4G nuk kanë mundësi që ta përballojnë atë çdo muaj.
Në këtë përfundim ka dalë një raport i përbashkët i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (The International Telecommunication Union) dhe i Aleancës për një Internet të Përballueshëm (Alliance for Affordable Internet – A4AI).
Raporti thotë se në Shqipëri 1.5 GB internet me shpejtësi 3 dhe 4G ofrohet mesatarisht me çmimin 4.56 dollarë për muaj.

ITU dhe A4AI thonë se 85 për qind e popullsisë në Shqipëri mbulohet nga interneti i ofruar me shpejtësinë 4G, por pothuajse gjysma e tyre nuk e shfrytëzuan përgjatë 2020-ës. Arsyeja kryesore e gjetur në raport është pamundësia për të përballuar koston e tij.
“Çmimet e internetit të ofruar si përmes teknologjisë mobile, ashtu edhe me kabëll po ulen, por sërish mbeten shumë të larta që qytetarët, sidomos në vendet në zhvillim, të qëndrojnë në rrjet pa shkëputje”, thotë raporti.
Autorët e këtij studimi thonë se shpenzimet për internetin mobil në Shqipëri shkojnë në 1.03 për qind e të ardhurave kombëtare bruto, në Serbi 1.14 për qind, Mal të Zi 0.89 për qind, Maqedoninë e Veriut 1.68 për qind dhe Bosnje 1.33 për qind.
Duke krahasuar çmimet dhe përllogaritur të ardhurat për frymë, ITU dhe A4AI vëren se çmimi për 1.5GB internet në vendet në zhvillim është deri në 4 herë më i shtrenjtë se çmimi që ofrohet në vendet e zhvilluara.
“Pandemia ka nxitur transformimin digjital dhe ne duhet që lidhim me rrjetin të gjithë njerëzit për arsimim, punë, shëndet, biznes dhe shërbimet qeveritare. Na duhet të ndërtojmë një infrastrukturë më të mirë për të ardhmen, jo vetëm si përgjigje ndaj periudhave si kjo e krizës aktuale”, thotë Houlin Zhao, Sekretari i Përgjithshëm i ITU-së.
ITU dhe A4AI thotë se rënia e çmimeve është për t’u përshëndetur, por sërish ka nevojë për më shumë punë në këtë drejtim, sidomos në vendet e varfra dhe në zhvillim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



