Nga Gazeta “SI” – Shqipëria është vendi me PBB-në më të ulët për frymë në Europë, sa 32% e mesatares së BE-së për këtë tregues, sipas Eurostat. Nga viti 2020, ky nivel është rritur me 2%, duke ndryshuar për herë të parë nga viti 2016, ku kishte “ngecur” në 30%. (Mesatarja e vendeve të BE-së është 100.)
Në këtë renditje, Shqipëria qëndron e fundit dhe nga vendet e rajonit, ku Bosnja rezulton përsëri me PBB për frymë sa 33% e mesatares europiane, Maqedonia e Veriut me 42% është rritur me 4% dhe Serbia me 44%, që është rritur me 1%, të dyja në raport vjetor.
Ndërsa, PBB-në më të lartë për frymë, e ka Luksemburgu me 277% më të lartë se mesatarja, me rritje 14% nga një vit më parë.
Po ashtu, Shqipëria qëndron e fundit edhe për mirëqenien e konsumatorëve, sipas nivelit të konsumit për frymë (AIC), matur sipas fuqisë blerëse(PPS). Këtu vendi jonë rezulton me fuqi blerëse sa 39% e mesatares europiane, njësoj sa në 2020-n.
Maqedonia e Veriut, rezulton me fuqi blerëse 49% sa ajo europiane, me rënie 3% nga 2020-a dhe Serbia, 52%, me rënie 7% nga viti paraardhës.
Me nivelin më të lartë të konsumit për frymë dhe fuqisë blerëse, në Europë është Suedia që qëndron 125% më lartë mesatares europiane. Ndërsa nivelin më të ulët e mban Turqia, me 71% poshtë mesatares së BE-së
Sipas Eurostat, konsumi për frymë, tregon mirëqenien materiale të familjeve sipas vendeve, pa përfshirë diferencimet në çmime, ndërsa PBB-ja për frymë mat diferencimet nga shteti në shtet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.