Nga Gazeta Si – Shqipëria është kualifikuar e para për në finalen e Eurovisionit në Liverpool.
Pas performancës elektrizuese në natën e dytë gjysmëfinale, Albina dhe familja Kelmendi ia dolën që ta çojnë vendin tonë në finalen e madhe që do të mbahet të shtunën, më 13 maj.
Në këtë natë të dytë të gjysmëfinales, kënga me titullin ‘Duje’ u performua në gjuhën shqipe dhe ishte e 14-ta në radhë.
Albina Kelmendi impresionoi publikun me vokalin e saj, duke sjellë një elektrizim të skenës nën jehonën e tingujve tradicionalë shqiptarë dhe kumbimit në një gjysmë-isoje vokale nga familja e saj.
Skenografia ishte përshtatur me ngjyrat kuqezi, ndërsa nuk mungoi edhe flamuri kuqezi.
Performanca plot emocion e familjes Kelmendi rrëmbeu duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.
Mesazhi ishte mjaft i qartë: “Paqja në botë vjen kur duam familjen”, ka theksuar Albina, para se të ngjitej në skenë.
Tanimë shpresa mbetet për një pozicionim të lartë në finalen e 13 majit në Liverpool.
Shtetet e tjera që performuan në natën e dytë gjysmëfinale dhe arritën të shkojnë në finale janë Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.
Në finale shtete të tjera të kualifikuara, përtej pesëshes së madhe (Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, Britani e Madhe) si edhe fitueses së vitit të shkuar, Ukrainës, kanë qenë edhe 10 shtete të tjera nga gjysmëfinalja e parë.
Ato janë Finlanda, Portugalia, Serbia, Suedia, Kroacia, Republika çeke, Izraeli, Moldavia dhe Norvegjia.
Favoritë këtë vit ndërkohë, shihen dy shtet nordike, Suedia dhe Finlanda, të cilët përfaqësohen nga fituesja e Eurovision në vitin 2012, Loreen, me këngën “Tattoo”, si edhe reperi ekstravagant Kaarija, me solon e tij “Cha Cha Cha”.
Festivali i këtij viti mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të pamundësisë për ta organizuar në Ukrainë, e cila fitoi në vitin 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.