Këngëtarja Anxhela Peristeri shkëlqeu në performancën live mbrëmjen e së enjtes, ku këndoi shqip dhe mori mbështetjen e gjithë atyre që e votuan me numrin 11, kodin e Shqipërisë për ta kualifikuar këngëtaren në finalen e madhe.
E pyetur se si ndihej pasi ia doli që Europa të votonte për të e të dilte në finale, Anxhela do të shprehej se nuk e përshkruan dot me fjalë.
“Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjenjat e mia tani. Ishte mahnitëse, sepse isha e para dhe nuk e prisja këtë. I dua të gjithë shqiptarët që më votuan, të gjithë shtetet europiane, jam shumë mirënjohëse. Ndihem shumë e lumtur tani. Faleminderit”, është shprehur Anxhela Peristeri.
Nga shtypi ndërkombëtar kishte një pyetje për Anxhelën nga Polonia: Si është “Karma” jote tani?
“E dua ‘Karmën’ time, do të jem një njeri i mirë për pjesën e mbetur të jetës…
Ndërsa nga gazetarët e mediave online pyetja ishte: Si ndihesh tani që Shqipëria është për herë të tretë radhazi në finalen e madhe të “Eurovision”?
“Ndihem e lumtur, sepse Shqipëria e meriton, jemi një vend i vogël, por kemi artistë shumë të mirë. Të gjithë duhet ta njohin vendin tonë dhe muzikën tonë”.
Performanca
Peristeri u ngjit në skenën e natës së dytë të Eurovizionit me një veshje skenike në formën e një truporeje në ngjyrë argjendi, të realizuar nga Kujta&Meri.
Ndonëse me një pjesëmarrje të kufizuar spektatorësh për shkak të pandemisë, në sallën e Eurovision nuk mungoi dhe flamuri shqiptar që shoqëroi këngëtaren tonë gjatë performancës.
Anxhela do të ngjitej e vetme në skenë, pa praninë e balerinëve ose back-vokaleve. Skenografia bazohej te shpërthimet e ngjyrave në sfond. Para se të performonte këngën “Karma”, Anxhela u shfaq duke i rënë violinës, si pjesë e kartolinës përfaqësuese.
Pas Anxhela Peristerit, edhe një shqiptar tjetër rrëmbeu zemrat e publikut të Eurovision-it. Bëhet fjalë për Gjon’s Tears i cili përfaqëson Zvicrën, dhe u kualifikua në finalen e madhe.
Debatet për shqiponjën
Në prag të mbrëmjes së parë gjysmëfinale të Eurovision, në një prej paraqitjeve të saj para mediave, Anxhela do të bënte shqiponjën dykrenore si simbol i vendit tonë, një veprim që solli mjaft reagime nga serbët.
Serbët i dedikuan edhe një artikull dhe sipas “Novosti-t”, ky veprim u cilësua si provokim.
“Skandal në Eurovision: Simboli i Shqipërisë së madhe, një provokim i turpshëm para gazetarëve”, ishte titulli i medias serbe.
Në artikullin e “Novosti-t” thuhej se në prag të mbajtjes së natës gjysmëfinale të “Eurovisionit” ndodhi një skandal.
“Përfaqësuesja e Shqipërisë, Anxhela Peristeri dhe bashkëpunëtori i saj dolën para shtypit dhe treguan simbolin e Shqipërisë së Madhe, të ashtuquajturën “shqiponja dykrenare” në mënyrën shqiptare. Ju kujtojmë se Eurovision në parim ndalon promovimin politik në veprimtarinë e saj”, thuhej ndër të tjera në artikull.
Ndaj këtij artikulli reagoi i revoltuar edhe producenti i njohur, Ardit Gjebrea, i cili i ka konsideruar të sëmurë mendorë.
Në InstaStory-n e tij, ai ka publikuar si foto artikullin e medias në fjalë, krahas së cilës ka shkruar:
“Përfundimisht, këta janë të sëmurë mendorë”.
Nga ana tjetër, këngëtarja e njohur, Anxhela Peristeri ka kryesuar në sondazhin e veshjeve më të bukura në “Eurovision 2021”.
Nga sondazhi i “wiwibloggs” rezultoi se veshja e Anxhela Peristerit ishte më e bukura në tapetin e kuq të Moroccanoil Turquoise Carpet.
Fustani i kuq, i çarë deri në pjesën e sipërme të këmbës i punuar nga Valdrin Sahiti, duket se i ka pëlqyer shumicës së publikut europian.
Shtetet e kualifikuara në natën e parë dhe të dytë
Nata e parë – të kualifikuarit
Azerbajxhani: Efendi – Mata Hari
Belgjika: Hooverphonic – The Wrong Place
Qipro: Elena Tsagrinou – El Diablo
Izraeli: Eden Alene – Set Me Free
Lituania: The Roop – Discoteque
Malta: Destiny – Je Me Casse
Norvegjia: TIX – Fallen Angel
Rusia: Manizha – Russian Woman
Suedia: Tusse – Voices
Ukraina: Go_A – Shum
Nata e dytë – të kualifikuarit
Shqipëria: Anxhela Peristeri – Karma
Serbia: Hurricane – Loco Loco
Bullgaria: Victoria – Growing Up is Getting Old
Moldavia: Natalia Gordienko – Sugar
Portugalia: The Black Mamba – Love Is On My Side
Islanda: Da∂i Freyr og Gagnamagni∂ – 10 Years
San Marino: Senhit – Adrenalina
Zvicra: Gjon’s Tears – Tout l’Univers
Greqia: Stefania – Last Dance
Finlanda: Blind Channel – Dark Side
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.