Ngjarje

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nderojnë kolosin e letërsisë shqipe, Ismail Kadare

Nga Gazeta ‘SI’- I pari nga krerët e shtetit që mbërriti ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga delegacioni i tij. Ai la edhe një shënim në librin e ngushëllimeve.

Pjesë e homazheve ishte dhe Mimoza Kusari Lila me delegacionin dhe kryetari i Kuvendi Glauk Konjufca.
Ndërkohë Vjosa Osmani u bë pjesë e homazheve më vonë, shoqëruar nga bashkësorti i saj, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat.

Gjithashtu, pjesë e homazheve ishte edhe Ali Ahmeti, kreu i BDI në Maqedoninë e Veriut dhe kryetari i Tetovës Bilal Kasami erdhën në Tiranë për ti dhënë lamtumirën e fundit shkrimtarit Ismail Kadare.
Ahmeti përcolli mesazhin për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin artin, të ecin në gjurmët e Kadaresë.
“Atyre që krijojnë prozë e poezi të vijojnë vazhdimësinë e Kadaresë dhe Agollit”, tha ai.

“Sot Tetova humb një qytetarë të saj. Ismail Kadare mbetet shkrimtari që padrejtësisht iu mohua çmimi Nobel për letërsinë, por besoj se çmimin ia dhanë lexuesit”, tha Kasami.
Pak kohë më parë Tetova i dha Kadaresë titullin “Qytetar Nderi’.

Mes personaliteteve ishin dhe shkrimtari Fatos Kongoli dhe aktorët Reshat Arbana, Luftar Paja, Timo Flloko, Vera Grabocka, Kastriot Çaushi.
Fatos Kongoli në një intervistë tha se e ka adhuruar gjithmonë si autor.
Më tej, Kongoli tha se vitet e fundit ishin miqësuar shumë së bashku dhe se takoheshin shpesh për të biseduar në banesën e Kadaresë.

“Kadarenë do të kujtoj gjithmonë si një mik të dashur dhe një shkrimtar të madh e të përmasave botërore. Është njeriu që ka bërë për Shqipërinë”, tha ai, duke shtuar se Kadarenë do ta kujtojë gjithmonë si një mik të dashur dhe një shkrimtar të madh, të përmasave botërore.
“Është njeriu që ka bërë për Shqipërinë. E kam adhuruar gjithmonë si autor, vitet e fundit u miqësuam shumë, kemi pasur një mik të përbashkët. Te vila e Kadaresë në Qerret, aty takoheshim shpesh, në raste festash. Bisedat me të kanë qenë më të bukurat. Ismaili ishte i çliruar nga gjithçka dhe fliste në mënyrën më të lirshme, flisnim për subjektet më interesante. Ismaili është një shkrimtar i jashtëzakonshme, është në shkollë letrare, një fenomen letrar. Është një shkrimtar i pavdekshëm”, tha Kongoli.

Shkrimtari Preç Zogaj u ndal edhe në një prononcim për mediat pas homazheve.

“Ai dinte të qëndronte gjithmonë mbi, duke i thënë të gjitha. Një shkrimtar i përmasave të tilla ia doli të realizohej në kushtet e tiranisë, kjo meriton shumë vlerësim. Shkrimtari që ka vetëdijen e dhuntisë, e talentit të madh, ka një mision që të ruaj dhuntinë. Kadare ndërtoi dhuntinë e tij, natyrore apo hyjnore, dhe e mbajti me vepra që themeluan letërsinë e re moderne”, tha Zogaj.
Në homazhe u panë edhe dy ish-presidentët, Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, të cilët nderuan Kadarenë.

Botuesi i tij, Bujar Hudhri foli për momentet e fundit të Kadaresë, duke treguar detaje të mëngjesit të 1 korrikut.

“Kur e pashë të shtrirë në korridor ishte traumatike. E morëm në ashensor sepse ishte në gjendje të ngrirë. E dërguam në spital me një ambulancë të thjeshtë që nuk kishte impiant oksigjeni. Mezi mbërritëm në urgjencë për shkak të trafikut”, tregoi Hudhri.
I pyetur nëse do publikohen vepra të papublikuara, Hudhri tha se Kadareja nuk tregonte kurrë se cfarë kishte në dorë duke shkruar.
“Ishte supersticioz. Mund të ketë vepra. E kam pyetur shpesh herë në momente të ndryshme nëse po shkuante diçka dhe në moment më thoshte “po”, pastaj të nesërmen e mohonte. Ka pjesë që i ka punuar por tashmë është në dorë të bashkëshortes Helena dhe dy vajzave që të vendosin për veprat e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë