Ngjarje

Shqipëria, Kosova dhe krerët e besimeve fetare, homazhe për Papa Françeskun në Vatikan

Gazeta Si – Në një ceremoni ku marrin pjesë drejtues shtetesh, klerikë dhe besimtarë nga e gjithë bota, Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar homazhe të përbashkëta pranë trupit të Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan pasditen e kësaj të premteje.

Gjatë homazheve për Atin e Shenjtë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shoqërohej nga katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare shqiptare, atij mysliman, ortodoks, katolik dhe bektashi, një dëshmi e vëllazërisë mes besimeve dhe tolerancës fetare, të cilën Papa Françesku e ka çmuar edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Në ceremoninë e nderimit të Papa Françeskut, krah Presidentit të Republikës ishin Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kardinali Ernest Simoni, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Gent Kruja, e të tjerë.

Radhët e gjata e turmat e mëdha të pelegrinëve nuk munguan as këtë të premte në Sheshin Shën Pjetër të Vatikanit, në ditën e 3-të dhe të fundit të homazheve pranë trupit të Papa Françeskut.

Që prej të mërkurës kur nisën homazhet, deri mëngjesin e sotëm, mbi 150 mijë njerëz janë përllogaritur të kenë kaluar pranë trupit të Papa Françeskut për homazhe.

Homazhet e kësaj të Premteje do të vijojnë deri në orën 19:00. Më pas trupi do të përgatitet për ceremoninë e varrimit, i cili të nis në orën 10:00 të së shtunës së 26 prillit, ku marrin pjesë krerë shtetesh nga e gjithë bota, përfshirë dhe presidentin e vendit, Bajram Begaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë