Politike

Shqipëria kërkon paratë azere me ‘dy kolaterale’ në mes

Në maj të 2019-s, një kompani azere përuroi një investim prej 1 miliard eurosh për ndërtimin e një porti superjahtesh në Mal të Zi. Projekti i hapi rrugë ndërtimit edhe të të paktën dy projekteve të tjera për ndërtim resortesh luksoze, duke e përfshirë Azerbajxhanin në garën e investitorëve të huaj më të mëdhenj në Mal të Zi, në krah të Kinës dhe Dubait.

Investimi i portit të superjahteve ishte nga grupi Azmont Investments dhe ish-kompania mëmë e saj me kapital plotësisht shtetëror, Socar. Investimi nisi në 2014-n në ish bazën ushtarake jugosllave, Kumbor.

Socar u nda nga Azmont, që tashmë kontrollohet nga një prej kompanive më të mëdha investimesh azere, Pscha Holding. Përurimi i portit të superjahteve, “Portanovi” i hapi rrugë ndërtimit të dy resorteve luksoze dhe hapjes së hotelit të vetëm në rajon të rrjetit “One&Only”.

Në total, investimet azere që prej 2014-s kanë shkuar në Mal të Zi rreth 2 miliard euro, ose rreth 40 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Vlera e investimit e bëri Azerbajxhanin investitorin kryesor të huaj në Malin e Zi në vitin 2019.

Por, jo vetëm kaq. Kur azerët hynë për herë të parë në Mal të Zi si investitorë, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit ishte rreth 4 mld euro në vit. Në fund të investimeve të tyre, prodhimi i brendshëm u rrit në 5.5 për qind, ose një rritje me 33 për qind. Në këtë rritje nuk kanë ndikuar vetëm paratë azere, por ato kanë dhënë kontributin kryesor me ndërtimin e portit të superjahteve për tërheqjen e turizmit elitar.

A mund të përsërisin paratë azere të njëjtin sukses edhe në Shqipëri? Në vendin tonë, sipërmarrja më e suksesshme azere është gazsjellësi TAP ndërtuar nga Socar, ndërsa përfshirja e tyre në rafinerinë e Ballshit, si kreditorë të biznesmenit Rezart Taçi ishte një dështim.

Në vjeshtën e 2020-s, Ambasadori azer në Shqipëri, Anar Huseynov shprehte keqardhje që investimi i përbashkët në rafinerinë e Ballshit kishte cenuar besueshmërinë e investimeve azere, por tha se dështimi në këtë sipërmarrje nuk ishte për shkak të tyre, sepse investimi nuk ishte azer, por i Rezart Taçit. Sipas tij, Azerbajxhani nuk është tërhequr nga ideja për të investuar në Shqipëri dhe energjitika nuk është e vetmja fushë.

“Ka mundësi të tjera, përveç TAP. Me aq sa di unë ka pasur një vonesë për shkak të pandemisë, por Socar është duke parë mundësitë për të investuar në Shqipëri dhe ata shpresojnë që në vitet në vazhdim do të jenë të mirëpërfaqësuar në vendin tuaj”, deklaronte në një intervistë televizive, Ambasadori Huseynov.

Tani që pandemia është qetësuar, edhe Rama i kërkoi Presidentit azer, Ilham Aliyev që të shtojnë përpara projektet për investime, pasi i shprehur ‘xhelozinë’ për investimet azere në Malin e Zi.

“Ku keni bërë jë investim masiv, jo vetëm financiar por edhe të modelit. Shpresoj të bëni të njëjtën gjë edhe në Shqipëri dhe tashmë që Covid është zbutur disi dhe rruga është hapur, pres që të vizitoni Shqipërinë dhe ne t’u lajmë borxhin”, deklaroi Rama në fjalën e mbajtur në takim me Presidentin Aliyev.

Për të shuar çdo dyshim të Azerbajxhanit në lidhje me ‘besnikërinë’ e Shqipërisë për një bashkëpunim afatgjatë e të suksesshëm në energjitikë e turizëm, Rama i dha Presidentit azer dy garanci; qëndrimin pro Azerbajxhanit dhe të drejtën e tij përballë Armenisë për kontrollin e rajonit Nagorno-Karabakh dhe ‘ndërmjetësin’ Erdogan.

“Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit, e së vërtetës dhe së drejtës historike azere. Ne jemi edhe të bekuar që kemi Turqinë si një mik të fortë mes nesh dhe unë besoj fort se ne mund të bëjmë shumë në fusha potenciale të bashkëpunimit tonë”, deklaroi Rama.

Kontaktet për të identifikuar fushat e bashkëpunimit, veç energjitikës janë vendosur që në 2019-n, kur një delegacion i qeverisë shqiptare vizitoi Bakun. U ra dakord që dy vendet të ngrinin grupe pune për të përcaktuar fushat me interes të përbashkët ku azerët mund të investonin, por puna u pengua nga pandemia.

“Pres me padurim që të dëgjoj dhe të shoh perspektivat dhe çfarë kanë arritur ekipet tona në sektorin e energjisë dhe turizmit”, deklaroi Rama para Aliyev.

Formalisht, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit janë vendosur që në vitin 1993. Por, vetëm në 2010-2011 dy vendet nisin ndërpverimin në fushën ekonomike, energji dhe arsim. Projekti më i madh azer në vendin tonë mbetet TAP, një investim prej 1.5 mld eurosh. Investimi i dytë më i madh jo i drejtpërdrejtë azer në Shqipëri mbetet rafineria e Ballshit, që dështoi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë