Politike

Shqipëria kërkon ndarjen me gjysmë zëri, por nga Parisi nuk ka asgjë të re për negociatat

Franca ka marrë Presidencën e Bashkimit Europian që prej 1 janarit dhe mes prioriteteve të vendosura në mes të dhjetorit nga Presidenti Emmanuel Macron zgjerimi nuk bën pjesë. Në vend të kësaj, Parisi zotohet për mbajtjen e një konference rajonale me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që tingëllon si një takim i ngjashëm me samitet e zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në një sërë artikujsh në javët e fundit, Gazetasi.al ka sjellë qëndrimin skeptik të Francës sa i takon procesit të hapjes formale të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe arsyet se përse me gjasa nuk do të ketë një konferencë ndërqeveritare brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti.

Këta artikuj janë “konfirmuar” tashmë edhe nga vetë kryenegociatori i Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, Zef Mazi. Në një intervistë për Euronews, Mazi komenton deklaratën e Ambasadores franceze në Tiranë, që tha se Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndahen, ndërsa nënkupton se këmbëngulja franceze në këtë drejtim është e pabazuar në direktivat e BE-së dhe më shumë po përdoret politikisht.

“Ambasadorët veprojnë me instruksione nga qendrat e tyre. Nuk e kuptoj se mbi ç’bazë juridike, legjislative, direktive të BE, apo tjetër mbështetet qëndrimi “ndarja/mosndarja“ e vendeve si Shqipëria e Maqedonia e Veriut! Duket qartë se në BE ka shtete anëtare që nuk janë entuziaste për integrimin, për futjen në BE të anëtarëve të rinj. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe kriteret për të filluar negociatat teknike me Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për këtë pikë, për Shqipërinë, sa kam dijeni dhe besoj e kam të saktë ka unanimitetin e 27 shtetet anëtare, edhe të Bullgarisë. Për Maqedoninë e Veriut nuk ka unanimitet nga të 27 vendet. Ky është problem politik”, deklaroi Mazi.

Sipas Mazit, koncepti i mosndarjes gërryen parimin themelor të zgjerimit të Bashkimit Europian, që është vlerësimi mbi bazën e meritave individuale të vendeve kandidate.

“Unë nuk di të ketë ndonjë dokument, vendim apo direktivë, apo diçka tjetër të miratuar unanimisht, zyrtarisht, në Këshillin Europian që të kërkojë integrimin, apo futjen e kandidatëve në grup. Po të ishte e vërtetë, kjo do të përbënte një ndryshim të madh. Zgjerimi ecën mbi bazën e meritës individuale, ndryshe, ky parim themelor i zgjerimit të BE-së do të pësonte një gërryerje të madhe. Zgjerimi do të shihej me dyshim jo të vogël. BE duhet të shprehet qartë, me argumente juridike”, shtoi ai.

Kryenegociatori shqiptar thotë se për momentin edhe nisma e Macron për një konferencë për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor është e paqartë. “Nuk jam në gjendje tani për tani që të zbërthej çfarë nënkuptohet me të. A është komplementare me integrimin, apo në vend të tij? Idea mbetet e paqartë”, u shpreh Mazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë