Gazeta Si – Shqipëria e nis me barazim Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kanë barazuar 1-1 në Rekiavik ndaj Islandës dhe në pamje të parë duket një rezultat i mirë. Por nëse kemi parasysh nivelin e kundërshtarit, barazimi është pak për Kombëtaren tonë.
Mundësitë ishin për fitore. Islanda ishte shumë larg asaj skuadre që kemi parë në ndeshjet e mëparshme ndaj nesh. Nivel shumë i dobët. Megjithatë, skuadra e Rejës nuk mundi ta shfrytëzonte dobësinë e kundërshtarit.
🆚 Mbyllet sfida
— FSHF (@FSHForg) June 6, 2022
Islandë 1️⃣ – 1️⃣ Shqipëri
⚽️🇦🇱 Taulant Seferi pic.twitter.com/WRaUxKa454
Kuqezinjve u mungoi befasia në sulme dhe saktësia. Dominimi i tyre ishte vetëm territorial dhe më raste sporadike. Loja me krose u duk një zgjedhje e gabuar, pasi gati gjithë duelet ajrore i fitoi Islanda.
Pjesa e parë ishte e dominuar në lojë nga Shqipëria, por jo me raste konkrete të rrezikshme. Seferi shënoi për kuqezinjtë, duke shfrytëzuar një gabim të portierit islandez.
Berisha në anën tjetër u detyrua të bënte një pritje vendimtare, pas një gjuajtjeje brenda zonës. Pjesa e dytë nisi në mënyrën më të keqe për skuadrën tonë. Gjimshiti gaboi rëndë, duke dhuruar një asist për kundërshtarët, që barazuan shifrat në 1-1.
Ivan Balliu, ndër më të mirët për Shqipërinë, punoi shumë në të djathtë, i ndihmuar edhe nga Abrashi. Pas minutës së 70-të trajneri Reja bëri tre ndërrime të menjëhershme.
Italiani ndërroi sulmin, duke hedhur në fushë Balajn, Asllanin dhe Vrionin për Cikalleshin, Seferin dhe Çekiçin. Më pas ai hodhi edhe Ramadanin për Abrashin dhe Veselin për Balliun.
Asgjë nuk ndryshoi deri në fund dhe Shqipëria mori aq sa meritoi për atë që dha në fushë. Një barazim, që të imponon ta shohësh gotën gjysmë bosh. Tani radhën e ka Izraeli, ku kuqezinjtë kanë presionin për fitore me çdo kusht.
Shqipëria ka nevojë për potencën e Brojës dhe fantazinë e Bajramit. Barazimi në Islandë ishte vërtet i shëmtuar, edhe pse pika nuk duhet hedhur poshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




