Nga Gazeta "SI" - Shqipëria ka përjetuar rritjen më të lartë të transaksioneve në kriptomonedha, me anë të platformave DeFi, (Financa të decentralizuara), deri në pothuajse 200%, duke kaluar të gjithë vendet e tjera në Europë, që në fakt kanë pësuar rënie.
Raporti i databazës më të madhe në botë për kriptot, Chainalysis, thekson se rritja e pazakontë në Shqipëri gjatë periudhës qershor 2022-2023 është e tillë për shkak se ka vëllime më të vogla se vendet e tjera dhe është më e ndjeshme ndaj rritjes.
Të shprehura në grafik, Shqipëria është në vendin e dytë pas Serbisë, për vlerat më të larta të përfituara në kripto gjatë të njëjtës periudhë. Shifra nominale nuk është shumë e qartë.
Rajoni verior, qendror dhe perëndimor i Europës, aty ku bën pjesë dhe vendi jonë, është hapësira gjeografike e dytë me vlerën më të lartë të transaksioneve kripto në botë, duke mbajtur rreth 18% ndaj pjesës tjetër.
Nga rajoni i Europës, ekonomia më e madhe e kriptomonedhave është ajo e Britanisë së Madhe, me një vlerë transaksionesh 251 mld dollarë brenda të njëjtës periudhë. Në terma globalë, Britania listohet në vendin e 14.
Raporti thekson se Europa është kontinenti i parë që po bën përpjekje serioze për rregullimin e tregut të kriptove me rregullore dhe udhëzime të unifikuara të cilat hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm.
Në të njëjtin raport, Chainalysis ka zgjeruar edhe Indeksin e kriptomonedhave, ku SHBA ka rënë në vendin e 4-t me një vlerë kriptomonedhash prej 1.2 trilionë dollarësh, sa 24.4% e transaksioneve globale. Raporti thekson se rënia e FTX nëntorin e shkuar luhati pozitën e SHBA-së lidhur me monedhat digjitale, si edhe falimentimi i bankave. Aktiviteti nisi të ringrihej gjatë qershorit që lamë pas. Vendin e parë e zë India.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.