Kombetarja

Shqipëria ka nevojë për Ivan Balliun, nuk mund të injorojmë një fitues

Fatjon Rupi – Armando Broja po bën mrekulli në Premier Ligë dhe me të drejtë është lojtari më i përfolur në Kombëtare, për shkak të raportit paksa delikat me trajnerin Edi Reja. Sulmuesi po flet me gola, ndërsa italiani vazhdon të thotë se ai duhet të punojë dhe të sillet më mirë. Çështje këndvështrimi, por nuk ka diskutim që sulmi kuqezi e ka tashmë lojtarin e së ardhmes dhe Kombëtarja liderin e saj të ri.

Pas Brojës, një tjetër çështje mund të jetë ajo e njërit prej lojtarëve më të mirë kuqezi të momentit, Ivan Balliut, për të cilin pak po flitet. Ai nuk po shënon si Broja, por luan titullar me ekipin e vendit të 7-të të La Ligës, që ashtu si dhe Premier Liga, është ndër më të fortët në botë. Dhe si për të vërtetuar se meriton më shumë vëmendje, Balliu shënoi edhe një gol me peshë në ndeshjen e fundit ndaj Betisit.

Ivan Balliu me fanellën e Rajo Valekanos. Gazeta Si, 10 janar 2022

Po flasim për një lojtar të pjekur, 30 vjeç, dhe që numëron 19 ndeshje këtë sezon, të gjitha si titullar. Rajo Valekano po bën një kampionat shumë të mirë, duke përballur me dinjitet edhe skuadrat më të forta të Spanjës. Janë këto tregues që mjaftojnë për të kuptuar se Balliu nuk ka si të mos jetë titullar në Kombëtare. Për kualifikueset e radhës ai mund të jetë pas një dyshim një pikë fikse në formacion, pavarësisht se në stol do të jetë Reja apo dikush tjetër.

Të paktën për momentin, Balliu është më mirë se Hysaj. Rajo Valekano nuk ka emrin e Lacios, por është i shtati në një kampionat, që për shumë konsiderohet më i fortë se Seria A. Balliu mund të luajë në linjën e djathtë, si në mbrojtjen me katër, ashtu edhe në atë me tre, duke u spostuar përpara, pasi mbron mirë dhe po ashtu sulmon mirë. Nuk është një çështje dualizimi me Hysajn, pasi ky i fundit mund të luajë edhe në të majtë, kështu që të dy mund të jenë titullarë. Falë përvojë që kanë dhe personalitetit që të jep fakti i të luajturit në një kampionat elitar, mund ta ndihmojnë shumë skuadrën kuqezi.

Balliu në stërvitje me Kombëtaren. Gazeta Si, 10 janar 2022

Kurrsesi Ivan Balliu nuk mund të injorohet, Kombëtarja jonë nuk e ka këtë luks. Trajneri Reja, duke qenë një ekspert, ka për detyrë të gjejë mekanizmat për të ingranuar në skuadër patjetër elementë të tillë. Për hir të së vërtetës, Balliu është grumbulluar së fundi nga trajneri italian, por nuk ka luajtur. Është thënë për shkak dëmtimi, apo edhe të infektimit nga Covid-i. Sido që të jetë, e kaluara tashmë pak rëndësi ka.

Kombëtarja ka nevojë për Ivan Balliun në kualifikueset e radhës. Kuqezinjtë kanë nevojë për sa më shumë lojtarë me mendësi fituesi dhe Balliu, i formuar në fidanishten e Barcelonës dhe me atë që po tregon aktualisht, është një i tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë