Shumica e partive politike në vend nuk kanë adresa të sakta e për rrjedhojë, nuk bëhen pjesë e auditimeve të planifikuara nga ekspertët që caktohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në raportin vjetor të këtij institucioni nënvizohet se në vitin 2023 u caktuan 9 ekspertë të licencuar që do të kryenin këto auditime.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 544, datë 22.5.2023, “Për përzgjedhjen e ekspertëve kontabël të licencuar (auditues ligjor) për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik 2022”, caktoi 9 ekspertë kontabël të licencuar (audites ligjor) për auditimin e 132 partive politike të regjistruara në regjistrin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nga raportet e dorëzuara nga audituesit ligjorë për 84 parti politike nuk është kryer auditimi, për shkak të adresave të pasakta, apo pasi partitë edhe pse kanë marrë njoftimin për fillimin e procesit të auditimit, nuk janë vënë në kontakt me audituesit ligjorë” thuhet në raport.
KQZ bën të ditur gjithashtu se për 4 parti politike nuk është kryer auditimi, pasi kanë status pasiv në kuptim të legjislacionit tatimor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas verifikimeve të kryera nga raportet e dorëzuara nga vetë partitë politike, si dhe nga raportet e dorëzuara nga audituesit ligjorë, është në proces për marrjen e masave administrative për partitë politike” nënvizon raporti.
Lidhur me mbështetjen financiare që marrin partitë raporti i KQZ zbardh se në vitin 2023 u 345.6 milionë lekë apo rreth 3.3 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.