Treg

Shqipëria jep dritën jeshile për fondet e investimeve nga vendet e BE-së, AMF nis konsultimin

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria po i hap derën fondeve të investimeve europiane. Me një dokument të nxjerrë për konsultim, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, AMF, synon rregullimin e procesve të këtyre investimeve, nga regjistrimi tek operimi.

Administruesit e fondeve të investimeve alternative të licencuar në një vend anëtar të BE-së mund të njihen edhe në Shqipëri, me kusht që të ketë në zbatim marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet autoritetit të vendit të origjinës së administruesit të fondeve të investimeve alternative dhe AMF-së dhe pasi subjekti që aplikon për njohje.

I njëjti kriter do të aplikohet edhe për regjistrimin e fondeve të investimeve alternative, ku kusht do të jetë te ketë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet autoritetit rregullator të vendit të origjinës së fondit të investimeve alternative dhe AMF, si dhe të vendit të origjinës së administruesit të fondeve të investimeve alternative dhe AMF.

Fondet e Investimeve Alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.

Projektrregullorja ka qëllim përcaktimin e procedurës, rregullave dhe dokumentacionit për njohjen e administruesit të fondeve të investimeve alternative të licencuar në një vend anëtar të BE-së dhe miratimin e regjistrimit të këtyre fondeve që do t’u marketohen dhe shiten investitorëve profesionist dhe të kualifikuar në Republikën e Shqipërisë.

Investitorë profesionistë janë subjektet e licencuara për të veprimtari në tregjet financiare, por edhe ndërmarrjet me një pasuri aktivesh të paktën 2.6 mld lekë, xhiro 5.2 mld dhe kapital 260 mmln. Investitorë profesionistë mund të jenë edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.

Deri më tani ligji për ‘Sipërmarrjet kolektive’ lejonte vetëm fondet e investimeve alternative, vendase.

Projektrregullorja e re diversifikon më tej tregun financiar në Shqipëri, duke e bërë atë më të hapur dhe duke shtuar alternativat e investimeve për shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë