Analize

Shqipëria në “modelin suedez”. A arrihet dot imuniteti i tufës?

Shqipëria iu bashkua më tetë mars pjesës më të madhe të globit, duke mbyllur shkollat, universitetit, një pjesë të mirë të bizneseve dhe transportit publik. Por sot, kur të gjitha qytetet gumëzhinë nga qytetarët dhe baret e restorantet kanë hapur dyert, Shqipëria dhe një sërë vendesh të tjera europiane i janë bashkuar “modelit suedez”. Ky model kishte vetëm një qëllim: arritjen e imunitetit të tufës, duke e bërë vendin nordik të “sigurt” nga pandemia e koronavirusit. Por sa efektive është kjo strategji dhe a mund të arrihet ky qëllim edhe në vendin tonë?

Në vend që të hynte në izolim, ose të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, Suedia u kërkoi qytetarëve të saj të respektojnë distancimin shoqëror. Autoritetet suedeze vendosën disa kufizime të lehta për frenimin e epidemisë, duke mos lejuar asnjë tubim publik prej më shumë se 50 personash dhe ndarjen e klasave për të ruajtur distancën. Por ajo shmangu kontrollet e ashpra, gjobat dhe mbikëqyrjen e qytetarëve. Shumë restorante mbeten të hapura, megjithëse shërbejnë  me një numër më të kufizuar, fëmijët e vegjël janë akoma në shkollë.

Shumica e shkencëtarëve besojnë se imuniteti i tufës arrihet kur më shumë se 60 për qind e popullsisë e ka pasur virusin. Por rritja e imunitetit është pa dyshim pjesë e strategjisë më të gjerë të qeverisë, ose të paktën arsyeja përse vendi nordik mbajti hapur shkollat, restorantet dhe shumicën e bizneseve. Anders Tegnell, epidemiolog kryesor në Agjencinë e Shëndetit Publik të Suedisë, ka parashikuar që qyteti i Stokholmit mund të arrijë imunitetin e tufës që në fillim të këtij muaji. Po ashtu edhe matematikani i Universitetit të Stokholmit, Tom Britton, ka llogaritur se imuniteti 40 për qind në kryeqytet mund të jetë i mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e virusit atje dhe se kjo mund të ndodhë nga mesi i qershorit.

Të gjithë ekspertët bien dakort se rihapja do të lejojë popullatën të fitojë imunitet, i cili është mënyra më e mirë për të luftuar Covid-19 në planin afatgjatë. Por a do të thotë lehtësimi i masave se edhe Shqipëria mund të arrijë pas disa muajsh imunitetin e tufës?

Epidemiologu Erion Dasho i thotë Gazetës “Si” se ndryshe nga Suedia, Shqipëria nuk ka deri më tani asnjë llogaritje të shkallës së imunitetit, duke e bërë shumë të vështirë parashikimin jo vetëm të arritjes së imunitetit të tufës, por edhe të pasojave që mund të sjellë lehtësimi i masave.

“Nuk mund të kemi një përllogaritje të besueshme për disa arsye. Së pari, ne nuk dimë shkallën e imunitetit të grupit që kemi aktualisht. Kemi vetëm një tregues të përafërt. 14% tek mjekët e Spitalit Infektiv dhe 11% tek mjekët në QSUT. Këto janë shumë pak për të gjykuar për shkallen e përhapjes se virusit në popullate dhe, rrjedhimisht, shkallën e mbrojtjes që kemi fituar”, thotë ai për Gazetën “Si”.

Sipas tij, në Suedi epidemia menaxhohet nga një ekip teknik tepër i aftë, i cili monitoron situatën epidemiologjike me shumë kujdes.

“Masat tona nuk janë konsistente dhe ne nuk e dimë se çfarë na pret pas 1 jave, 2 javësh apo 1 muaji. Nëse nuk teston dhe nuk aplikon survejancë epidemiologjike digjitale, nuk ke shans ta kontrollosh epideminë. Mund të dalë mirë, mund të dalë edhe keq ashtu siç “i do qejfi” virusit, por parashikime nuk mund të bësh”, shprehet epidemiologu. Dasho megjithatë është optimist se vera mesdhetare do të modifikojë koeficientin e transmetimit të virusit, që njihet si R0, duke e ulur atë.

Pjesa më e madhe e epidemisë mbetet mister, por vendet që kanë hyrë në izolim deri më tani, sipas ekspertëve, mund të përballen me shpërthime të reja në vjeshtë dhe madje edhe më të rënda në të ardhmen. “Nëse këto vende ndjekin rrugën suedeze për imunitetin e tufës, kostoja totale e pandemisë do të ulet dhe ka të ngjarë të përfundojë më shpejt”, thotë Nikola Skern, ekspert në Universitetin e Stokholmit.

Ndërsa shkencëtarët mësojnë më shumë rreth virusit dhe autoritetet krijojnë mënyra të reja dhe më të mira për të frenuar epideminë, duke ndryshuar parametrat për llogaritjen e imunitetit të tufës, justifikimi për bllokime të përgjithshme po bëhet edhe më i dobët. Edhe në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ku grupi i njerëzve në rrezik është shumë më i madh, kostoja e mbrojtjes së këtyre njerëzve është shumë më e ulët sesa detyrimi i të gjithëve për të qëndruar në shtëpi. Arritja e imunitetit të tufës do të thotë, mbi të gjitha, mbrojtja e të prekurve. Suedia mësoi se mos hyrja në karantinë është e vështirë, por është mënyra më e mirë për ta pasur situatën nën kontroll.

Përse modeli suedez funksionon?

Ekspertët këmbëngulin se një sërë arsyesh përse shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë duhet të fillojnë të lehtësojnë kufizimet e tyre. Do të duhen disa vite për të llogaritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve, falimentimeve, pushimeve nga puna, problemeve të shëndetit mendor, humbjeve të investimeve, si dhe kostot e tjera që i atribuohen jo vetëm virusit, por masave të përdorura për ta luftuar atë. Sidoqoftë, tashmë duhet të jetë e qartë se kostot ekonomike dhe sociale të bllokimeve janë shumë të mëdha. Shqipëria sipas parashikimeve të Bankës europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), do të pësojë tkurrjen më të madhe në Ballkan, ndërsa rritja e ekonomisë në vendin tonë do të zbresë në -9 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas raportit të publikuar së fundmi “ekonomia shqiptare do të preket ndjeshëm nga epidemia si pasojë e varësisë së saj së lartë nga turizmi dhe fasoneria. Raporti theksonte qartë se “rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave në vend për ndalimin e përhapjes së virusit dhe kthimi në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.

Përgjigja e Suedisë nuk ka qenë e përsosur, por ajo ka arritur të forcojë imunitetin tek të rinjtë dhe të shëndetshmit, ata që janë më pak të rrezikuar për t’u përballur me komplikime serioze për shkak të Covid-19, ndërkohë që gjithashtu ka arritur të rrafshojë kurbën e epidemisë. Njësitë e kujdesit intensiv të vendit nuk janë mbingarkuar dhe personeli i spitalit, megjithëse është nën presion, të paktën nuk i është dashur të zgjedhë se cilin pacient do të trajtojnë dhe cilin jo.

Suedia ka fituar lavdërimet e BE-së për ruajtjen e normalitetit ekonomik dhe mbajtjen e nivelit të vdekjes për frymë më të ulët se ato të Belgjikës, Francës, Italisë, Holandës, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Por ajo ka ardhur me kritika nga qytetarët për tejkalimin e niveleve të vdekjes për frymë të vendeve të tjera Nordike dhe në veçanti, për dështimin për të mbrojtur popullsinë e moshuar nga virusi.

Por autoritetet suedeze kanë argumentuar se niveli i lartë i vdekjeve është shumë i ulët në krahasim me numrin e të infektuarve. “Përpjekjet për të frenuar virusin po dështojnë në shumë vende, dhe një përqindje e madhe e njerëzve do të infektohen në fund. Kur pjesa më e madhe e botës të përjetojë një valë të dytë vdekjeprurëse, Suedia do ta ketë lënë më të keqen pas”, deklaroi së fundmi kryeministri suedez, Stefan Lofven.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*

Më Shumë