Drejtësia

Shqipëria fiton Arbitrazhin kundër Bankers Petroleum

Nga Gazeta 'SI' - Gjykata e Arbitrazhit i ka dhënë shtetit shqiptar fitoren në çështjen përballë Bankers Petroleum, duke detyruar shoqërinë t’i kthejë Shqipërisë vlera monetare për llogari të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës.

Kompania kanadeze e hidrokarbureve që shfrytëzonte burimet e naftës në Patos, i kërkoi Shqipërisë rikuperim të kostove në lidhje me operacionet në fushën naftëmbajtëse.

Gjykata ra dakord me interpretimin e Shqipërisë për aspekte të rëndësishme të marrëveshjeve, në veçanti që kategoritë e kostove të rikuperueshme janë të listuara në mënyrë specifike në marrëveshje, kështu që kostot e tjera si pagesat e bëra për operacionet kanadeze të Bankers ose pagesat për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim me kompani të tjera për furnizimin me naftë nuk mund të rikuperohen (në ndryshim nga pretendimet e Bankers).

Gjykata konkludoi gjithashtu se nuk mund të pretendoheshin as kostot e kundërshtuara që ishin bërë, të tilla si investimet në marrëdhëniet me komunitetin që kane qenë të ekzagjeruara ose pagesat për qiratë e tokës.

Tribunali ra dakord me Shqipërinë se kontratat e rëndësishme nënkontraktore duhej të jepeshin nëpërmjet proceseve rigoroze të tenderimit, duke rritur transparencën dhe efikasitetin e projektit.

Nga vendimi konkludohet se mbi 236 milionë dollarë nga kostot e pretenduara nga Bankers dhe të kundërshtuara nga AKBN janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme.

Shuma që do t’i kthehet Shqipërisë, njofton ministria e Energjetikës, do të rrisë fitimet historike të fushës së naftës dhe do të çojë në pagesa të tatimit mbi fitimin ndaj shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë