Analize

Zbulohet dokumenti i BE: “Shqipëria është shumë e korruptuar për të hyrë në BE”

Gjatë samitit të Sofjes shumica e shteteve anëtare të BE-së mbështetën hapjen e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë dhe Shqipërinë, edhe pse asnjë nga liderët e pranishëm nuk konfirmuan një datë anëtarësimi për dy kombet ballkanike. Megjithatë, të tjera bisedime duket se janë mbajtur prapa dyerve të BE-së, gjatë të cilave është propozuar shtyrja e bisedimeve të anëtarësimit. Një dokument i fshetë që po qarkullon mes vendeve anëtarë të BE-së (Non paper draft), i publikuar së fundmi në media, sugjeron që BE të shtyjë hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë në pranverën e vitit 2019.

Edhe pse fiillimisht u përfol se bëhej fjalë për një draft të përgatitur nga parlamenti hollandez, dokumenti në fakt mban vulën e Francës dhe Holandës, dy shteteve kyçe të Bashkimit Evropian. Duke shprehur pikëpamjet lidhur me anëtarësimin e Tiranës dhe Shkupit zyrtar, ato nuk i kanë kursyer kritikat, duke theksuar se Shqipëria është shumë e korruptuar për të hyrë në BE. Qendrimi ndaj Maqedonisë duket se është më dashamirës, pasi si Parisi ashtu dhe Amsterdami vlerësojnë ndryshimet thelbësore dhe reformat, por anjëra nga vendet anëëtare nuk premtojnë mbështetje për negociatat me Shkupin.

Çfarë përmban dokumenti i fshehtë?

Edhe pse komisioneri i BE-së Johannes Hahn theksoi qershorin si datë fillimi për negociatat, dokumenti që qarkullon mes vendeve të BE-së thekson se fillimi i negociatave do të jetë i mundur vetëm pranverën e ardhshme.

“Non Paper Draft” shpreh qartazi shqetësimet e vendeve anëtare mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të  organizuar në Shqipëri, duke theksuar qartazi se Hollanda dhe Franca nuk janë të bindura se dhënia e rekomandimit pa kushte nga Komisioni Europian do të nxisë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Tiranën.

Drafti vlerëson se reforma në drejtësi është ende në hapat e parë dhe se korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha, duke qënë një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Dokuementi theskon gjithashtu se ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është shumë i ulët. Sipas Francës dhe Hollandës, lufta ndaj krimit në Shqipëri është e pamjaftueshme për shkak të burimeve të kufizuara të zbatimit të ligjit dhe institucioneve të dobëta. Sikur mos të mjaftonte kjo, rezultatet konkrete të dënimeve dhe konfiskimet e aseteve të zyrtarëve të korruptuar janë të rralla. Madje dy vendet anëtare të BE-së shprehen se Europa ka një detyrë të rëndësishme për t’u vetë-reformuar mbi trazirat politke në Shqipëri dhe Maqedoni.

 Zbatimi i reformës në drejtësi vetëm sa ka filluar dhe ende është shumë herët për të vlerësuar rezultatet e para. Në veçanti, rivlerësimi i përgjithshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve filloi vetëm disa javë përpara publikimit të raportit: dëgjesat e para filluan nga fundi i ,arsit dhe deri tani janë marrë vetëm pak vendime. Administrata dhe veçanërisht policia mbeten të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe ndërhyrjeve politike. Numri i dënimeve përfundimtare i zyrtarëve të lartë të shtetit mbetet deri tani shumë i ulët". Numri i ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në rastet e krimeve serioze mbetet shumë i ulët dhe konfiskimi i aseteve është shumë i rrallë. Pavarësisht disa rezultateve në luftën kundër kultivimit të kanabisit, lufta kundër trafikimit të drogës duhet të forcohet në mënyrë domethënëse. Në strategjinë e publikuar në 6 Shkurt, vetë Komisioni shkroi se Unioni ynë duhet të jetë “më i fortë dhe më solid, përpara se të jetë më i madh”. Këshilli merr shënim rekomandimin e Komisionit për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe përsërit se zbatimi i pesë prioriteteve kyçe në mënyrë të qëndrueshme, tërësore dhe gjithëpërfshirëse duhet të bëhet përpara hapjes së negociatave për pranim. Këshilli do t’i rikthehet Shqipërisë mbi bazën e një raporti të ri të Komisionit, sapo progresi i mjaftueshëm të jetë arritur.

Duke renditur të gjitha arsyet, dokumenti i hartuar nga Hollanda dhe Franca vlerëson se Shqipëria nuk i ka plotësuar ende kushtet për të hapur negociatat, duke u dhënë kështu një shuplakë jo vetëm zyrtarëve të Komisionit Evropian, por edhe qytetarëve shqiptarë, të cilët e shohin anëtarësimin në BE si shpresën e vetme për vendin.

I njëjti përfundim është arritur edhe për shtetin fqinj Maqedoninë ku si problem kryesor shihet moskryerja e reformës në drejtësi, politizimi i administratës publike, korrupsioni i lartë dhe pamundësia për ta luftuar atë.

https://twitter.com/cvetin/status/1000351980588621824

Çfarë është një “non paper draft”

“Non paper draft” është një dokument jopublik, pra një dokument joformal, zakonisht pa atribuim të qartë, i paraqitur në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, për të arritur një marrëveshje për disa çështje të rëndësishme politike. Zakonisht dokumenti hartohet nga një shtet anëtar dhe nxit reagimin e palëve të tjera duke mbajtiur  një qendrim të ashpër për çështje të caktuara. Dokumenti mbi Shqiërinë dhe Maqedoninë si dhe një dokument për masat e marra nga BE-ja mbi kontrollin e rrjeteve sociale janë ndër shembujt e fundit të “letrave sekrete” të BE-së që janë publikuar në media.

Çfarë deklaroi BE-ja në rrugë zyrtare?

Rreth një muaj më parë Komisioni Evropian rekomandoi që Këshilli të hapte negociatat e pranimit për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë, në dritën e përparimeve të arritura mbi reformën në drejtësi. Rekomandimi është i pari për Shqipërinë. Ai vjen 15 vjet pasi Tirana nënshkroi paktin të parë të stabilizimit të BE-së dhe rreth 10 vjet pasi u bashkua me NATO-n.

Ky hap erdhi në përputhje me kushtëzimin e rreptë të strategjisë së Komisionit për Ballkanin Perëndimor. Siç thuhet në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor, vetë BE-ja duhet të jetë gati për anëtarët e rinj, sapo të kenë përmbushur kushtet, duke përfshirë edhe këndvështrimin institucional dhe financiar. Përfaqësuesja e Lartë e Punëve të Jashtme Federica Mogherini tha se hapja e negociatave do të ringjalltte shpresën në të gjithë rajonin.

 "Një hap përpara për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë është një hap përpara për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar përparime praktike dhe përfitime ekonomike për njerëzit në rajon. Megjithatë puna për reformat dhe modernizimin e vendit duhet të vazhdojë, në interes të partnerëve dhe Bashkimit Evropian dhe qytetarëve të këtyre vendeve”, u shpreh ajo.

Johannes Hahn, Komisioneri për Politikat Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, deklaroi se negociatat janë motori i Ballkanit Perëndimor për të ecur përpara.

"Politika jonë e zgjerimit vazhdon të jetë motori kyç për ndërmarrjen e reformave në Ballkanin Perëndimor, duke modernizuar ekonomitë dhe shoqëritë e rajonit, duke e bërë gradualisht një vend më të begatë dhe më të qëndrueshëm, në interesin e vërtetë të BE-së.  Rekomandimet për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë janë një hap i rëndësishëm për të ecur përpara, por është e qartë që reformat duhet të vendosen nën sundimin e ligjit, të zbatohen më me forcë dhe të prodhojnë rezultate të qëndrueshme. Gjyqësori efektiv, lufta efektive kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar, administrimi efikas publik, dhe ekonomia më e fortë nuk janë "për Brukselin", nga të gjitha këto reforma do të përfitojnë drejtpërsëdrejti rajoni dhe qytetarët e tij”, deklaroi Hahn.

Në raportin  e tij, për vitin 2018, Komisioni Evropian deklaroi se Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në reformën e administratës së saj publike. Raportin theskon se përpjekjet e qeverisë  vazhduan, duke rezultuar në disa përparime në efikasitetin dhe transparencën e ofrimit të shërbimeve publike, trajnimin e nëpunësve civilë, procedurat më transparente të rekrutimit dhe forcimin e përgjithshëm të procedurave të shërbimit civil bazuar në merita. Megjithatë, sipas komisionit, konsolidimi i këtyre arritjeve duhet të përparojë më tej, për të siguruar një administratë publike më efikase, depolitizuese dhe profesionale.

Raporti i vitit 2018 përqendrohet tek sistemi gjyqësor i Shqipërisë, duke theksuar se duhet ende punë për zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse. Sipas komisionit, rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit) ka filluar dhe po jep rezultatet e para të prekshme, por ky proces duhet të kryhet nga një autoritet i pavarur, t’i nënshtrohet monitorimit ndërkombëtar dhe të jetë në përputhje me Komisionin e Venecias. Sipas komisionit, Shqipëria ka nevoje për përparime të mëtejshme në në luftën kundër korrupsionit. Raporti thekson se dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë kanë ndodhur kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë) por se tani e kanë radhën zyrtarët e rangut të lartë të politikës.

Sipas komisionit në përgjithësi ka pasur disa përparime në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Por raporti thekson se Shqipëria duhet të punoje për rezultate operacionale në këtë fushë, duke intensifikuar konfiskimin e pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe duke shkatërruar të gjitha magazinave ekzistuese të kanabisit.

Burimet: MIA, "Euobserver", "Europa.eu", "Makfax"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë