Nga Gazeta “SI”- Kur Eugène Pittard vizitoi për herë të parë Shqipërinë së bashku me bashkëshorten Hélène, ai u dashurua me vendin dhe njerëzit. Fillimisht, udhëtimi i tij nisi si një interes shkencor, duke qenë se Pittard ishte antropolog, etnograf dhe arkeolog, por më pas ai u shndërrua në një nga individët më mbrojtës të çështjes shqiptare dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Fotografitë e shumta të Eugène Pittard, të cilat dokumentojnë këtë udhëtim unik në Shqipërinë e viteve ’20, janë pjesë e hapjes së ekspozitës së tij në COD Center (Qendra për Hapje dhe Dialog), ku për herë të parë paraqiten për publikun shqiptar një seri imazhesh të rralla që pasqyrojnë jetën, zakonet dhe shpirtin e njerëzve të thjeshtë shqiptarë, ashtu siç i pa dhe i përjetësoi antropologu zviceran më shumë se një shekull më parë.

Zvicerani Eugène Pittard dhe gruaja e tij, Helene Roger, bënë disa fotografi të rralla gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri, mes gushtit dhe tetorit të vitit 1921.
Pittard ishte adhurues i Shqipërisë dhe i erdhi asaj në ndihmë në çaste mjaft të vështira si Konferencën e Paqes në Paris dhe më vonë, kur Shqipëria do të pranohej në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, më 17 dhjetor 1920. Në atë kohë ai ishte zëdhënës i Lidhjes. Pittard ndihmoi gjithashtu për organizimin e Kryqit të Kuq Shqiptar.
Udhëtimi i tij nisi nga Durrësi, ku ai mbërriti në vitin 1921 me anije nga Bari, për të vijuar më pas drejt maleve të Shqipërisë. Shkodra, Dibra, Lezha, Durrësi, Tirana, Vlora, Berati dhe Korça janë disa nga qytetet që ai vizitoi me aparatin e tij Kodak, të cilin e ruante me fanatizëm, dhe i pajisur me letra, lapsa e blloqe shënimesh që do t’i nevojiteshin për të shkruar ditarët e udhëtimit të tij në Shqipëri.

Ajo që vihet re në fotografitë e Pittard është fokusi ndaj njerëzve të thjeshtë , në rrugë, në pazar, në gëzime familjare apo në hidhërime duke dashur të ruajë në kujtesë jetën e zakonshme të shqiptarëve të fillimit të shekullit 20, të varfër por edhe bujarë.
Në fotografitë e Pittard nuk janë objektiv njerëzit e veshur me pushtet, as ministrat, as deputetët dhe as udhëheqësit e kohës, të cilët në një farë mënyre do të përbënin një lloj pasurie për fondin e fotografisë së realizuar përgjatë atyre viteve në Shqipëri.

Nisur nga Shkodra, çifti Pittard mban shënime të shumta për këtë qytet:
“Vizitoj një shtëpi të hapur dhe pa dritare. Një hapësirë e vogël pa çati, e shtruar me dërrasa. Fshatarët flenë bashkë, për tokë, pa asnjë batanije. Ndërkohë, një prift trupmadh françeskan që drejton një shkollë vjen dhe na shoqëron. Ata veshin këmishat e reja të bardha dhe më pas Eugène i fotografon.”
Në pasazhe të tjera, Helene Pittard , shkrimtare dhe gazetare , vëren varfërinë e madhe të popullit shqiptar përgjatë viteve ’20. Po ashtu ajo përshkruan itinerarin drejt Pukës dhe Gomsiqes, ku ndalet në një detaj të dhimbshëm: një grua, e cila ishte nisur nga Dushi drejt Pukës për të marrë një këmishë, kishte vdekur rrugës.
Dhe kështu udhëtimi i tyre vazhdon, duke ndaluar në secilin qytet, ku krahas shënimeve në formë ditari, Eugène Pittard shkrep edhe fotografi, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se po dokumenton një periudhë të errët të historisë së Shqipërisë.
Fotografitë e ekspozuara janë pjesë e fondit të Muzeut Etnografik të Gjenevës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



