Tregu i fluturimeve në vend ka kaluar nivelet e para pandemisë në dy muajt e parë të këtij viti,sipas të dhënave nga Eurostat.
Shqipëria krahasuar me shtetet e tjera të Europës rezulton e vetmja me rikuperimin pozitiv të tregut të fluturimeve, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të raportuara janë 20-40% më poshtë se periudhat përkatëse të para-pandemisë për janarin dhe shkurtin.
Në janar, fluturimet nga Shqipëria u rritën me 9.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s, ndërsa në shkurt zgjerimi ishte 0.7%.

Ndërsa në raport me periudhat përkatëse të 2021, fluturimet janë dyfishuar, përkatësisht +139.6% në janar, me bazë vjetore dhe +117.8% në shkurt.
Rimëkëmbja ka nisur që në muajin gusht të vitit të kaluar, ku për shkak të sezonit turistik, fluturimet u rritën me 23% në raport me parakrizën dhe me rreth 17% në shtator.
Në gusht dhe shtator, fluturimet në vendet e BE-së ishin mesatarisht 31-33% më të ulëta se muajt përkatës të 2019-s, ndërsa edhe në janar e shkurt të këtij viti nuk kanë arritur ende të rikuperojnë, duke mbetur sërish 33% më pak se para-pandemia.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, në janar fluturimet ishin 21% më të ulëta se janari 2019 dhe në shkurt 33.5% më pak. E njëjta tendencë është dhe me Serbinë (-14.8% dhe -26.4%) dhe malin e Zi (-30.3% dhe -26.7%).
Sipas Eurostat, në mars 2022, numri i fluturimeve komerciale në BE u rrit me 156% krahasuar me marsin 2021. Megjithatë, ky është ende nën nivelet para pandemisë (-27% krahasuar me mars 2019).
Vendet e BE-së me uljet më të ulëta të fluturimeve komerciale në mars 2022 ishin Kroacia (-6% krahasuar me mars 2019), Portugalia (-8%) dhe Greqia (-12%). Në të kundërt, fluturimet u ulën më së shumti në Slloveni (-56%), Suedi (-45%), Letoni (-43%), Çeki (-42%) dhe Finlandë (-41%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




