Treg

Shqipëria e treta në Ballkan për punën në të zezë, por gjobat s’janë zgjidhje

Shqipëria renditet e treta pas Malit të Zi dhe Bosnje Herzegovinës për punësimin informal në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pjesa e punësimit joformal në Shqipëri është 29, 4 % ose 406 mijë persona që punojnë në të zezë.

Shqipëria për punësimin e paligjshëm ndiqet nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor numërohen 1mln e 400 mijë persona të cilët punojnë të paregjistruar.

Sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Ballkani Perëndimor paguan faturën e punës së padeklaruar - me një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave publike, mungesën e konkurrencës së drejtë dhe kushte të papërshtatshme pune.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në Sarajevë ka organizuar një workshop me politikëbërës, partnerët socialë, ekspertë nga rajoni dhe më gjerë.

“Puna informale është punë legale në vetvete, por e padeklaruar tek autoritetet për shkak të taksave dhe ligjeve të tjera që parashikojnë detyrime ndaj shtetit dhe punonjësve. Informaliteti i përhapur në vendet e Ballkanit Perëndimor privon qeveritë nga të ardhurat e mundshme tatimore, prodhon konkurrencë të padrejtë dhe shpesh prek të drejtat e punëtorëve dhe kushtet e mira të punës. Vlerësimet tregojnë se të ardhurat e humbura për shkak të punës së padeklaruar në rajon janë në intervalin prej disa miliardë eurosh - burime të konsiderueshme që mund të përdoren për përmirësimin e shërbimeve dhe projekteve infrastrukturore ", tha Maja Handziska Trendafilova, Shefe e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ ).

Për më tepër, sipas Handziska, anketat e fuqisë punëtore vlerësojnë se midis 20 dhe 30 përqind e personave të punësuar punojnë në të zezë, ndërsa, sipas anketës së Bankës Botërore për Ndërmarrjet, pothuajse gjysma (49.2 përqind) e firmave në rajon konkurrojnë kundër firmave joformale. Kurse i gjithë rajoni vuan nga problemi pothuajse identik i informalitetit, prandaj, thotë ajo, përgjigjja më e mirë ndaj fenomenit është qasja strukturore rajonale, jo vetëm me gjoba, por me stimuj për të formalizuar ata që punojnë në të zezë, duke rritur ndërgjegjësimin për përfitimet për të .

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) së bashku kanë filluar zbatimin e fazës së dytë të projektit të punësimit dhe çështjeve sociale të financuar nga BE gjatë 3 viteve të ardhshme. Platforma ka për qëllim bashkëpunimin duke promovuar shkëmbimin e praktikave të mira dhe mësimin e ndërsjellë midis institucioneve dhe të rinjve në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë