Politike

‘Shqipëria e Madhe mund të ndalet vetëm nga bota serbe’ / Pas deklaratës së Vulin për Ramën, MEPJ thërret ambasadorin serb: Reflektoni!

Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukčević është thirrur në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zv. Kryeministri Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi.

“Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, u shpreh Vulin në një reagim kundër takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Athinë.

“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri serb kërkon nga Greqia që të formojnë një aleancë anti-shqiptare.

“Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë.”

Në reagimin e Ministrisë së Jashtme thuhet se deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit.

“Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.

MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

Kjo nuk është hera e parë që Vulin përmend termin “Shqipëri e Madhe” për të shantazhuar apo kërcënuar një shtet tjetër. Zëvendëskryeministri serbe, përpara se të merrte detyrën, iu drejtua Malit të Zi me fjalë tepër ofenduese për shkak të mbështetjes së rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë të paraqitur në OKB.

E ardhmja e ish-serbëve është Shqipëria e Madhe. Ose ta thuash në gjuhën e rrjedhshme malazeze: ‘Burrat e mëdhenj u bënë frikacakë dhe tradhtarë’”, ka thënë Vulin disa ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë