Analize

Shqipëria "e kërcënuar" mes luftës kibernetike iraniane

Lajmi se Shqipëria kishte arrestuar dy terroristë iranianë në mars të këtij viti bëri bujë të jashtëzakonshme në mediat botërore, duke ngritur alarmin se regjimi iranian po përgatitej për të sulmuar grupin opozitar të strehuar në vendin tonë. Kanë kaluar më shumë se pesë muaj dhe polemikat rreth kësaj çështjeje nuk janë shuar. Përkundrazi regjimi iranian dhe muxhahedinët që jetojnë  në Shqipëri duket se janë angazhuar në një luftë të vërtetë verbale  kundër njëri-tjetrit.

Në sërë faqesh që duket se kontrollohen nga MEK (Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit) kanë ngritur alarmin se Irani po përgatitet për një sulm të madh ndaj bazës së tyre në Shqipëri. Ndërkohë mediat shtetërore të Iranit shkruajnë se Presidenti Donald Trump po përdor vendin tonë për të sulmuar dhe për të rrëzuar qeverinë iraniane. Deri më tani, qeveria shqiptare është munduar të ruajë ekuilibrin dhe të përfshihet sa më pak të jetë e mundur në përplasjet mes dy palëve. Por edhe për sa kohë do të mund t’u qëndrojë Tirana larg telasheve, aq  më pak kur një pjesë e akuzave bien drejtpërsëdrejti mbi qeverinë shqiptare?

Akuzat e qeverisë iraniane.

Teherani zyrtar pretendon se MEK janë një grup terroristësh që po bashkëpunojnë me qeverinë amerikane për të rrëzuar qeverinë iraniane. Gazeta “Iranian.com” shkruante në një shkrim të publikuar një ditë më parë së grupi është përfshirë tanimë në një sërë skandalesh në Shqipëri. Sipas medias të kontrolluar nga regjimi, 400 nga 3,000 muxhahedinët që Shtetet e Bashkuara sollën në Shqipëri në vitin 2016 kanë braktisur organizatën dhe janë arratisur në Gjermani, Itali, Greqi dhe vende të tjera europiane. Madje gazeta iraniane pretendon se grupi opozitar ka mbyllur dyert e kampit në Manzë, për të mos lejuar anëtarët e saj të largohen dhe se qeveria shqiptare është në dijeni të këtij fakti. “Iranian.com” shkruan gjithashtu se disa muxhahedinë që kanë arritur të ikin kanë dalë publikisht në media duke folur për torturën e tmerrshme, skllavërimin dhe larjen e trurit që MEK po i bën anëtarëve të saj. Sipas gazetës, një familje e grupit opozitar iranian i ka kërkuar disa herë ndihmë autoriteteve shqiptare për të liruar vajzën e tyre, e cila po mbahet peng në kampin e Manzës, dhe ta marrin përsëri në Kanada. Ky lajm ka bërë edhe bujë të madhe edhe në mediat shqiptare, duke ngjallur edhe frikë në opinionin publik.

Mbledhje e MEK në Paris

Pas këtij zhvillimi, mediat shtetërore iraniane kanë publikuar dhjetëra artikuj në anglisht, duke akuzuar muxhahedinët se kanë rrëmbyer pengje, se po kërcënojnë mediat dhe shoqërinë civile në Shqipëri dhe se po shantazhojnë policinë shqiptare. Edhe pse një pjesë e mirë e këtyre artikujve nuk kanë gjasa të arrijnë tek publiku shqiptar, Irani duket se do të intensifikojë edhe më shumë luftën elektronike kundër “disindetëve” në Shqipëri dhe vetë Tiranës zyrtare.

Akuzat e MEK

Shqipëria është vënë po ashtu në qendër të pretendimeve të muxhahedinëve të strehuar në vendin tonë, të cilët shprehen se Këshilli i Lartë i Sigurisë i Iranit po planifikon sulme terroriste kundër grupit opozitar. Sipas tyre, regjimi ka dërguar agjentët e tij në Ambasadën Iranian në Shqipëri, në mënyrë që të spiunojnë dhe të komplotojnë një sulm terrorist kundër MEK.

Grupi opozitar shprehet se falë spiunëve brenda regjimit ka arritur të zbulojë se forcat speciale të regjimit iranian janë duke përgatitur terrenin për akte terrorizmi në Europë, veçanërisht në Shqipëri, ku jetojnë një numër i madh i anëtarëve të MEK-ut. Sipas tyre, sulmet në tokën shqiptare janë e vetmja mënyrë për të sulmuar MEK-un, pa përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin. Në një artikull të publikuar në “Iran News Update”, MEK pretendon se Ministria e Punëve të Jashtme iraniane është duke lobuar tek qeveritë europiane, veçanërisht në Shqipëri, me qëllim që  të kufizojnë aktivitetet e Rezistencës iraniane brenda kufijve të tyre. Artikulli thekson gjithashtu se regjimi iranian planifikon të dërgojë agjentët e saj në Shqipëri për t'u bërë shtirur si anëtarë të MEK-ut, në mënyrë që të sulmojnë organizatën nga brenda.

Baza e MEK në Shqipëri

Por shqetësimi më i madh është prania e regjimit në Shqipëri. Disa nga anëtarët e MEK, thanë për “Fox News” se ambasada iraniane është vënë në lëvizje dhe ka dërguar nëpunës të inteligjencës saj në Tiranë. Sipas rrjetit televiziv amerikan, Shqipëria është kthyer në një nga objektivat kryesore të regjimit islamik pasi strehoi, më shumë se 3,000 disidentë të lartë iranianë, në vitin 2016. Vetë Këshilli Kombëtar i Iranit (NCRI) deklaroi se regjimi kishte planifikuar t’i vriste në Irak dhe se strehimi i tyre në Shqipëri ishte kthyer në një “pengesë të madhe” për regjimin.

I intervistuar nga “Fox News”, ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko, deklaroi se zyrtarët amerikanë e kishin paralajmëruar se duhet të rriste masat e sigurinë për mbrojtjen e tij. Majko ka bërë të ditur për median amerikane se kohët e fundit ka marrë një kërcënim me jetë. “Nuk kam frikë- u shpreh ai- Edhe pse se strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt”.

Pandeli Majko në kongresin e MEK të zhvilluar në Paris, 30 Qershor 2018

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë amerikan i antiterrorizmit i konfirmoi për “Fox News” se autoritetet shqiptare arrestuan dy operativë iranianë në fillim të këtij viti, nën akuzat për veprimtari terroriste. “Irani ka një histori të gjatë vrasjesh dhe veprimtarish terroriste kundër kundërshtarëve të regjimit, përfshirë këtu edhe një seri vrasjesh dhe sulmesh të përgjakshme në vendet evropiane”, tha zyrtari.

Anëtarët e MEK në Shqipëri

Pasojat  e mundshme për Shqipërinë

Sipas ekspertëve perëndimorë, këto zhvillime mund të kenë pasoja serioze për qeverinë shqiptare, e cila nuk mund të parashikojnë pasojat afatgjata të përfshirjes në këtë çështje. Ata theksojnë se nëse lufta e spiunazhit midis regjimit dhe opozitës së strehuar në Shqipëri vazhdon, Tirana zyrtare mund të detyrohet të zgjerojë rolin e saj në çështjet e politikës së jashtme përtej arritjes tradicionale të vendit tonë.

“Balkan Analysis” thekson në një artikull se duke qenë se MEK ka hequr dorë nga dhuna, nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare në Shqipëri. Megjithatë, ai mbetet një kërcënim ekzistencial ndaj regjimit iranian, i cili ka ndërmarrë një sërë sulmesh agresive për të shkatërruar organizatën dhe për të vrarë udhëheqësit kryesorë të MEK, në të shkuarën. Tanimë që edhe inteligjenca amerikane ka sinjalizuar se prania e Iranit po rritet, Tirana do ta ketë edhe më të vështirë të ruajë ekuilibrin delikat mbi të cilin është duke qëndruar. Por sipas “Balkan Analysis” më shumë se prania e MEK, shqetësim paraqet rreziku i përçarjeve sektare mes komuniteteve të vogla fetare në Shqipëri, e cila ndërlikohet edhe më shumë nga prania e komunitetit Bektashian. Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme të Shqipërisë me korrupsionin endemik dhe krimin e organizuar, përçarjet fetare janë problemi i fundit me të cilin do të donin të ballafaqoheshin autoritet shqiptare.

Burimet: "Fox News", "Balkan Analyses", "Iran News Upadate"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë