Euro2024

Shqipëria e ka fituar Europianin e saj

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria e futbollit luan të hënën në mbrëmje shanset e pakta për kualifikim. Të pakta pasi, pavarësisht se çdo ndeshje fillon nga rezultati 0-0, përballë është skuadra më e frikshme e momentit në këtë Europian, Spanja.

Një kombëtare spanjolle e mbushur me talente në të gjithë repartet, si në formacionin tip si në bankinë. Por kjo nuk ngjan të ketë trembur shumë tifozerinë shqiptare.

Atmosfera në Tiranë, në Shqipëri, në Dyseldorf dhe kudo ku ka shqiptarë është e mbushur me euforinë e pikëve, madje, edhe të fitores e rrjedhimisht kualifikimit. Ajo ndjehet kudo, në llogaritë që bëjmë në bisedat me njëri tjetrin, në media, në rrjete sociale etj. Por duhet thënë se kjo eufori ka pak lidhje me realitetin e futbollit, ku përballë kombëtares tonë është një skuadër ku e ku më lart si teknikisht, si për nga eksperienca e lojtarëve që e përbëjnë si për nga rëndesa e fanellës. Ndryshe nga Shqipëria që merr pjesë për herë të dytë në një kompeticion kontinental, Spanja është e mësuar me europianë e botërorë futbolli, të cilët edhe i ka fituar.

Ne jemi një kombëtare e re, një skuadër që shkon në europian si suprizë e grupit dhe që po sillet si e tillë edhe në këto dy ndeshje të para. Shqipëria ka dhënë më shumë se sa mendohej e imagjinohej, jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna, në rrugë e në sheshe. Në sport asgjë nuk është e pamundur, dhe na takon të ëndërrojmë edhe këtë mbrëmje në një rezultat historik dhe në një paraqitje heroike të kombëtares tonë. Por kjo skuadër atë që mundi ta bënte e ka realizuar. Humbëm vetëm 2-1 me kampionët në fuqi të Italisë, por duke shënuar të parët që në sekondën e 23-të. Barazuam 2-2 me vendin e tretë në Botërorin e fundit, të një viti e gjysëm më parë.

Kombëtarja mobilizoi energjitë pozitive të një kombi të tërë të shpërndarë gjithandej, duke bashkuar me dhjetra mijëra njërëz përreth saj. Në rrugët e Dortmundit, Hamburgut e Dyseldorfit, shqiptarët bënë atë që asnjë qeveri nuk ka mundur të bëjë: i dhanë vendit një vitrinë pozitive. Edhe sikur të gjithë buxhetin të harxhonte një qeveri për të promovuar me reklama pozitive Shqipërinë në ekranet e mediave më të mëdha të rruzullit dhe në faqet e shtypit botëror, vështirë se do të arrinte këtë rezultat, këtë entusiasëm dhe këtë imazh kaq shumë pozitiv, ku gjithcka shqiptare u bë virale anë e mbanë globit.

Ndaj, askush nuk ka përse mërzitet edhe sikur mos të fitojmë me Spanjën, edhe sikur të mos barazojmë, edhe sikur mos të kualifikohemi. Kjo skuadër e ka fituar Europianin e saj dhe jo vetëm atë. Shqipëria e ka marrë maksimumin në Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë