Ekonomi

Shqipëria, e fundit në rajon për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Mirëqeverisja hapa pas!

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një vlerësim të kryer nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që analizon progresin e vendeve drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe qeverisjes së mirë, Shqipëria renditet e fundit në rajon, pas Kosovës. Matja përfshin gjashtë cilësi kryesore të një ekonomie funksionale të tregut: konkurrueshmërinë, qeverisjen, gjithëpërfshirjen, reziliencën, integrimin dhe zhvillimin e gjelbër.

Shqipëria shënon rezultatin më të mirë në treguesin e përfshirjes, me 5.42 pikë. Ky indeks përfshin komponentë socialë si barazia gjinore, aktivizimi i të rinjve dhe përfshirja e komuniteteve minoritare. Po kaq pikë, vendi merr edhe në treguesin e integrimit, i cili mat hapjen ndaj tregjeve të huaja, lidhjet tregtare dhe gjendjen e infrastrukturës. Në të dyja këto fusha, BERZH evidenton një progres të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.

Në treguesin e qeverisjes së mirë, Shqipëria vlerësohet me 5.01 pikë. Edhe pse shënohet një rritje krahasuar me vitin 2023, indeksi mbetet 0.44 pikë më poshtë se niveli i vitit 2016, duke treguar përkeqësim afatgjatë në standardet e institucioneve dhe qeverisjes publike.

Performanca më e dobët vërehet në treguesin e konkurrueshmërisë, ku Shqipëria merr vetëm 4.94 pikë, me një rritje minimale prej 0.01 pikësh nga viti i kaluar. Kjo tregon se dinamika e tregut, kapaciteti inovativ dhe mjedisi i biznesit përparojnë shumë ngadalë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi dhe Serbia rezultojnë më të avancuar në vlerësimin e BERZH për tranzicionin drejt një ekonomie moderne dhe të qëndrueshme.

Ndërkohë, në një tjetër vlerësim të lidhur me infrastrukturën, Shqipëria rezulton të performojë relativisht mirë në sektorë si energjia dhe rrjetet rrugore. Megjithatë, vendi renditet i fundit për menaxhimin e mbetjeve dhe për infrastrukturën hekurudhore, kjo e fundit kryesisht për shkak të fazës ende të hershme të zhvillimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë